Donika Gërvalla voton në Gjermani, thirrje për pjesëmarrje: Vendosni për Kosovën që e doni pa kushte!

Zgjedhet në Kosovë kanë nisur dhe procesi po vazhdon në ambasadat e vendeve të ndryshme të botës.
Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla ka votuar në Gjermani dhe përmes një postimi në Facebook shkruan:
“Unë votova. Ashtu si edhe mijëra e mijëra mërgimtarë në të gjithë botën. Me zemër plot e me mendjen te ju. Votova për çdo hap që keni bërë larg atdheut, për çdo sakrificë që keni duruar, për çdo ëndërr që nuk e latë të shuhet. Votova për Kosovën që e mbani në shpirt, për Kosovën që e doni pa kushte, për Kosovën që e duam më të drejtë, më të fortë, më të denjë.
Kjo votë është për ju. Për mallin që e keni bërë forcë, për fjalën shqip që nuk e latë të heshtë, për rrënjët që nuk i harruat kurrë.
Kosova ju ka borxh shumë. E sot, unë dhashë votën time me bindjen se ky borxh duhet të njihet, të nderohet dhe të kthehet në vepra. Me zemër e mendje, gjithmonë me ju. Unë votova. A votove".


