Djali i Trump: Bill Clinton bombardoi Serbinë për të hequr vëmendjen nga tradhtia ndaj së shoqes!

Djali i presidentit të SHBA, Donald Trump Jr ka deklaruar se bombardimet e NATO-s ndaj Serbisë gjatë luftës së fundit në Kosovë kanë ardhur si pasojë e një skandali mes ish-presidentit të SHBA-ve, Bill Clinton dhe një praktikanteje në Shtëpinë e Bardhë, Monica Lewinsky.
Donald Trump Jr. gjatë qëndrimit në Serbi, ka zhvilluar një intervistë me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç ka folur për temën e fushatës së bombardimeve të NATO-s.
“NATO e bombardoi Serbinë në vitin 1999, çka çoi në tërheqjen e forcave serbe nga Kosova. Kjo ndodhi në kulmin e skandalit Bill Clinton – Monica Lewinsky. Shumëkush, sidomos tani, në retrospektivë, e shohin këtë bombardim si një shpërqendrim nga ai dështim i Bill Clinton-it”, thotë Trump Jr., para fillimit të intervistës me Vuçiç.
Skandali Bill Clinton dhe Monica Lewinsky u zhvillua në kulmin e mandatit të presidentit Clinton dhe pati një ndikim të madh në jetën politike dhe imazhin e tij. Ndërkohë, në vitit 1999, kur skandali po arrinte kulmin, një tjetër ngjarje e rëndësishme ndodhi, NATO filloi bombardimet në Serbi.
Po ashtu, në po këtë “Podcast”, Trump Jr. ka shfaqur një hartë të Ballkanit Perëndimor, ku Kosova figuron si pjesë e Serbisë.
“BE-ja dhe madje edhe shumë njerëz në Washington dëshirojnë t’i ‘normalizojnë’ marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, por Serbia vazhdon dhe argumenton me pasion të madh se Kosova është pjesë e territorit të saj sovran”, ka thënë Trump Jr.


