Bojkoti i votimit në veri, reagon Lista Serbe: Ishim të gatshëm t’i ndërrojmë kryetarët
Subjekti politik, Lista Serbe, ka reaguar pasi ka dështuar referendumi për shkarkimin kryetarëve në katër komunat veriore.
Ky subjekt politik, që hapur e pranon afërsinë me Beogradin zyrtar, ka deklaruar se procesi i sotëm ishte “një shfaqje e Kurtit”.
Lista Serbe përmes një deklarate të lëshuar në Facebook, të dielën, ka thënë se ishin të gatshëm të ndërrojnë kryetarët, por nuk donin të bëheshin pjesë siç e quan ky subjekt politik “pjesë e lojës së regjimit në Prishtinë”.
Merr lajme ekskluzive në Whatsapp
Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.
“Duam të përsërisim qartë se ishim më se të gatshëm të marrim pjesë në këtë proces për të parë prapavijën dhe për të zëvendësuar këta kryetarë fallco në komunat tona, por nuk donim të luanim lojëra të dirigjuara nga regjimi në Prishtinë”, thuhet në njoftim.
Më tutje, Lista Serbe thotë se “dita e sotme tregoi se si duket demokracia nën Albin Kurtin, me armë të gjatë, forca speciale dhe automjete të blinduara në qendrat e votimit, kamera që incizojnë votuesit”, sipas kësaj partie.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar se referendumi dështoi për shkak të presionit të Beogradit përmes Listës Serbe.