Kaos me udhëtimet drejt Italisë, TIA me njoftim zyrtar: Anulohen fluturimet, zbulohet arsyeja

Gjashtë destinacione italiane janë prekur nga anulimet e fluturimeve gjatë ditës së sotme, për shkak të problemeve teknike në sistemin e kontrollit të trafikut ajror në Itali.
Sipas njoftimit të Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës, anulimet përfshijnë fluturimet nga dhe drejt Milanos, në aeroportin Malpensa, Torinos, Veronës, Pisës, Riminisë dhe Gjenovës.
Situata vjen si pasojë e kufizimeve të vendosura në hapësirën ajrore italiane. Aeroporti i Tiranës bën me dije se është në koordinim me kompanitë ajrore dhe autoritetet përkatëse për të ndjekur zhvillimet dhe për të minimizuar ndikimin te pasagjerët.
Ndërkohë, udhëtarët që kanë planifikuar fluturime drejt ose nga Italia këshillohen të kontrollojnë rregullisht njoftimet e kompanive ajrore për të marrë informacionin më të fundit mbi statusin e fluturimeve dhe ndryshimet e mundshme në orare.


