“E kini rrogën 8 herë më të lartë se prindërit e studentëve” / Ish-zv.ministrja e PS akuza të forta deputetëve

Nga Irena Beqiraj
Për të gjithë ata që po kërkojnë kauzën e studentëve .
Një student mund ta përballojë jetësën në Tiranë vetëm nëse babai i tij , zotëron ndonjë kontratë koncensioni, port a aeroport ; nëse është furnizues pa garë i shërbimeve tek AKSHI apo furnizues me makina a veshje i ushtrisë ; nëse zotëron ndonjë kazino; ose nëse është furnizuesi i vetëm në treg për ilaçet kundër ankthit.
Për të gjithë të tjerët, është e pamundur . Kauza e tyre është thjesht një përshkrim të asaj që një shqiptar i zakonshëm pa pushtet ekonomik a politik përjeton çdo ditë .
Papunësia është ulur por, prindërve të tyre u duhet të punojnë dy punë për të përballuar privilegjin e blerjes së ushqimeve, një pjesë e të cilave megjithëse gjenden nëpër raftet e dyqaneve u ngjajnë xhevahireve të rralla në një ekspozitë muzeale.
Në Shqipëri, një paketim me 10 vezë kushton 4.9 euro ndërsa në europë mesatarisht kushton 3 euro.
Një litër qumësht i zakonshëm në Shqipëri kushton 1.9 euro, çmim ky dukshëm më i lartë se mesatarja e tij në Bashkimit Europian.
Sipas të dhënave më të fundit të Eurostat-it, kostoja e kombinuar e produkteve të qumështit mishit dhe vezëve në Shqipëri është rritur ndjeshëm, duke arritur në 35,6% mbi mesataren e BE-së. Perimet frutat po ashtu janë më të shtrenjta se në BE .
Ndaj çdo vizitë në super market, për një familje me të ardhura mesatare, për një student është kthyer në një ngjarje e rëndësishme financiare, dhe si i tillë çdo dalje për pazar kërkon një racionalizim e optimizim radikal .
Ndërkohë, edhe strehimi ka evoluar. Nga një domosdoshmëri bazë është kthyer në një ëndërr të çmuar, njëlloj si dalja në pension apo arritja e paqes së brendshme. Të rinjtë tanë tani flasin për pronësinë e një shtëpie në të njëjtën mënyrë siç flisnin fshatarët mesjetarë për mundësinë për t’u bërë mbretër. Si froni dikur edhe banesa sot mund të arrihen ose si trashëgimtarë ose me ndërhyrje hyjnore.
Ndërsa një sëmundje në familje , dhëntë zoti mos të jetë e gjatë edhe e vështirë, sepse më shumë se 43% e familjeve të këtyre studentëve mund të kthen sa hap e mbyll sytë në të varfër, duke i detyruar të lënë shkollën për të ndihmuar familjen .
Pagat, natyrisht, janë rritur, por jo me të njëjtin vrull entuziast siç ka ndodhur me çmimet apo fitimet e një grushti investitorësh të huaj , që sipas qeverisë qënkërkan edhe shumë të ndjeshëm ndaj protestave .
Ndërsa paga mesatare e prindit të një studenti të thjeshtë ecën me rritmin e një burri të moshuar rritja e çmimeve , pagave të deputeteve edhe fitimeve të investitorëve të ndjeshëm është e shpejtë si një atlet profesionist njëzet vjeçar.
Studentët janë të zemëruar nga hipokrizia e deputetëve që e kanë rrogën 8 herë më të lartë se paga minimale e prindit të tyre ( raport ky nga më të lartët në Europë) por prap janë të shqetësuar për semaforin , por shkatërrimin e pronës publike por kanë votuar paturpësisht për milionat e eurove që kalojnë nga buxheti në xhepat e Ronit. Hipokrizi, paaftësi, papërgjegjshmëri që e ka kthyer jetën në Shqipëri i një studenti në një sprovë gjigante rezistence, ku familjet e tyre gjenden pa mbrojte ndaj rritjes së pakontrolluar të faturave edhe ku “klasa e mesme” nuk është më një kategori sociale por një referencë historike nostalgjike.
Studentët janë aty sepse problemet strukturore të rënda ekonomike nuk zgjidhen me borde pasqyra programe të dështuara strehimi por me garantimin e konkurrencës, zvogëlimin e informalitetit , heqjen e monopoleve në zinxhirët e furnizimit, edhe spastrimin e qeverisjes nga soji më i korruptuar që prej 1912 .
Doni më arsye pse janë studentët aty ?


