Rama mbështet Lana Nusseibeh për kreun e OKB-së: ''Pas kaq shumë burrave, mendoj se duhet një grua e këtij kalibri

Politikë

Rama mbështet Lana Nusseibeh për kreun e OKB-së: ''Pas

Kryeministri Edi Rama ka shprehur mbështetjen e plotë të Shqipërisë për kandidaturën e Lana Nusseibeh, të nominuar nga Emiratet e Bashkuara Arabe për postin e Sekretares së Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

Në një postim në platformën X, Rama e cilësoi kandidaturën e diplomates si një mundësi të re për OKB-në, në një kohë kur organizata përballet me sfida të mëdha dhe pikëpyetje mbi aftësinë e saj për të përmbushur misionin ndërkombëtar.

Kreu i qeverisë shqiptare bëri të ditur se e njeh personalisht Nusseibeh dhe ka pasur mundësinë të vlerësojë aftësitë e saj gjatë periudhës kur Shqipëria ishte anëtare e zgjedhur e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Sipas Ramës, ajo dallohet për njohuritë e thella mbi politikën ndërkombëtare, modestinë intelektuale dhe aftësinë për të afruar qëndrime të ndryshme mes kulturave dhe perspektivave të ndryshme.

“Emërimi i Lana Nusseibeh nga Emiratet e Bashkuara Arabe për postin e Sekretares së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara ofron një fillim të ri që komuniteti i OKB-së nuk mund të përballojë ta humbasë, dhe Shqipëria është e nderuar të mbështesë plotësisht kandidaturën e saj”, shkruan Rama.

Kryeministri theksoi se, në një periudhë kur besimi te Kombet e Bashkuara po vihet në pikëpyetje, Nusseibeh përfaqëson një mundësi për të rikthyer shpresën dhe energjinë pozitive në organizatë.

Ai vlerësoi përvojën, inteligjencën dhe angazhimin e saj për t’i shërbyer njerëzimit pa paragjykime, duke e konsideruar profilin e diplomates të përshtatshëm për sfidat me të cilat përballet OKB-ja.

Në fund të mesazhit të tij, Rama vuri theksin edhe te mundësia që organizata të drejtohet nga një grua, pas shumë drejtuesve burra.

“Pas kaq shumë burrave në krye, nuk mund të mendoj për një shpresë më të mirë për Kombet e Bashkuara sesa një grua e këtij kalibri”, përfundon mesazhi i kryeministrit shqiptar.

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion