Fermerët në Dibër marrin vendimin, hedhin patatet në përrua

Fermerët që merren me prodhimin e patates në Dibër po përballen sërish këtë vit me mungesën e tregut të shitjes dhe çmimet e ulëta. Të gjendur përballë kërkesës së ulët dhe pamundësisë për të shitur prodhimin, ata janë detyruar të hedhin në përrua një pjesë të patateve të mbetura.
Fermerët Mevlut Kurtulla dhe Xhevat Rexha, nga fshati Pocest i Dibrës, thonë se kjo situatë përsëritet çdo vit dhe se të ardhurat nga shitja nuk u mbulojnë as kostot e prodhimit.
Sipas tyre, mungesa e mbështetjes nga shteti dhe e ambienteve frigoriferike për ruajtjen e prodhimeve bujqësore mbetet një nga problemet kryesore për fermerët e zonës.
“Filluan të kalben. Një pjesë i shita, të tjerat… Shteti duhet të na ndihmojë, por ku është shteti? Ne jemi me forcat tona”, shprehet njëri prej fermerëve.
“Detyrohen t’i hedhin në përrua. Mundi i gjithë verës shkon dëm”, thotë një tjetër fermer.
Me vështirësi të ngjashme përballen edhe prodhuesit e frutave, kryesisht të mollëve, pasi Dibra është një nga zonat e rëndësishme të prodhimit të frutikulturës në vend.
Fermerët kërkojnë prej kohësh ndërtimin e një tregu frigoriferik, ku të mund të ruajnë prodhimet pas vjeljes dhe t’i shesin ato gradualisht, sipas kërkesës së tregut. Sipas tyre, mungesa e këtyre ambienteve i detyron të shesin brenda një periudhe të shkurtër, shpesh me çmime të ulëta, ose të humbasin një pjesë të prodhimit.
