“Dhuna nuk ka vend në shoqëri demokratike”, Demo për protestat në Tiranë: S`mund të pranohen sulmet ndaj policisë

Politikë

“Dhuna nuk ka vend në shoqëri demokratike”, Demo për

Ministri i Punëve të Brendshme, Ervin Demo, ka folur në një konferencë për mediat për situatën e krijuar gjatë protestave të ditëve të fundit në Tiranë, duke dënuar aktet e dhunës dhe duke theksuar se ato nuk mund të konsiderohen më pjesë e një proteste paqësore.

Demo bëri të ditur se gjatë këtyre ditëve janë regjistruar 295 persona të lënduar, mes tyre gazetarë, protestues, punonjës policie dhe kalimtarë të rastit. Sipas tij, 196 prej të lënduarve janë punonjës të Policisë së Shtetit.

Ministri theksoi se efektivët e policisë kanë treguar vetëkontroll dhe profesionalizëm, pavarësisht dhunës së ushtruar ndaj tyre, ndërsa kanë vijuar të përmbushin detyrën për garantimin e rendit dhe sigurisë publike.

“Është e papranueshme që në rrugët e Tiranës të kemi elementë dhune. Policia ka duruar dhunë barbare”, u shpreh Demo.

Ai deklaroi gjithashtu se gjatë protestave janë dëmtuar edhe godina shtetërore, ndërsa situata është shoqëruar me sulme ndaj subjekteve politike.

Sipas ministrit, përfshirja e elementëve të dhunshëm ka ndryshuar karakterin e protestës, duke theksuar se akte të tilla nuk mund të justifikohen në një shoqëri demokratike.

“Dhuna nuk ka vend në një shoqëri demokratike. Dhuna nuk mund të pranohet nga askush”, deklaroi Demo.

Në përfundim, ministri vuri në dukje se, edhe pas gjashtë ditësh nga nisja e situatës, nuk ka pasur një reagim të mjaftueshëm nga forcat politike dhe shoqëria për të dënuar aktet e dhunës ndaj punonjësve të policisë.

ME TE LEXUARAT