Deklarata e Altin Merizajt, drejtorit të Policisë Gjirokastër, lidhur me shpërthimin e datës 10 (VIDEO)

Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Gjirokastër, Drejtues Altin Merizaj, konferencë për zbardhjen e vrasjes me lëndë shpërthyese dhe plagosjes së një shtetasi në bulevardin “18 Shtatori”, Gjirokastër.
Përshëndetje,
Jam sot para jush për të bërë prezent për Ju dhe qytetarët rezultatet e një pune intensive hetimore për zbardhjen e ngjarjes së ndodhur më datë 10.10.2026 në bulevardin “18 Shtatori”, Gjirokastër, ku humbi jetën një shtetas dhe një tjetër u plagos.
Më datë 10.10.2026, rreth orës 22:00, në bulevardin “18 Shtatori”, përballë Prokurorisë Gjirokastër, një automjet tip “Benz” ka shpërthyer me lëndë plasëse në lëvizje, ku ka humbur kontrollin dhe është përplasur me trafikndarësen e rrugës. Si pasojë e këtij shpërthimi ka humbur jetën drejtuesi i automjetit, shtetasi Beqir Devolli, 48 vjeç, banues në Gjirokastër, dhe ka mbetur i dëmtuar lehtë pasagjeri, shtetasi Erigels Mela, 26 vjeç, banues në Gjirokastër.
Për të hetuar dhe zbardhur rrethanat e ngjarjes u ngrit një grup i posaçëm hetimor nga strukturat e hetimit të Drejtorisë Vendore të Policisë Gjirokastër, nën drejtimin e Prokurorisë.
Grupi i posaçëm hetimor kreu një sërë veprimesh hetimore dhe procedurale në vendin e ngjarjes.
Nga verifikimet paraprake rezultoi se në brendësi të automjetit të shtetasit Beqir Devolli, konkretisht nën sediljen e shoferit, ishte vendosur një sasi lënde plasëse.
Për sqarimin e ngjarjes dhe identifikimin e autorëve u shoqëruan dhe u pyetën për rrethanat e hetimit 18 persona. U kryen intervista, verifikime, kontrolle, ekspertime, u bë eksperiment hetimor dhe të gjitha veprimet e tjera për të zbardhur dhe dokumentuar me prova ligjore ngjarjen.
Nga hetimet intensive me metoda speciale të hetimit, inteligjenca policore, deklarimet e ndryshme dhe ekzaminimet biologjike të provave, u arrit të dokumentohet me prova ligjore autorësia e kësaj ngjarjeje të rëndë.
Në bazë të rezultateve të deritanishme të hetimit, në kuadër të Operacionit Policor “GJURMA”, u kapën dhe u ndaluan si persona të dyshuar për përfshirje në këtë ngjarje shtetasit:
1 Behar Zyberi alias Behar Heqimaj, 64 vjeç, banues në Fier, i dënuar disa herë për disa vepra dhe në kuadër të grupit kriminal.
2 Shpëtim Malasi, 42 vjeç, banues në Patos.
Gjithashtu, u shpallën në kërkim 2 shtetas, të cilët pas ngjarjes janë larguar jashtë vendit, konkretisht:
1 Gentjan Zhupa, 38 vjeç, banues në Tepelenë, me precedent kriminal në fushën e trafikimit të lëndëve narkotike jashtë vendit.
2 Kliton Omeri, alias Kliton Nanushi, 44 vjeç, banues në Tiranë, me precedent kriminal në krimet kundër personit dhe krimit të organizuar në drejtim të trafikimit të narkotikëve dhe qenieve njerëzore.
Sipas të dhënave të administruara në kuadër të hetimit, këta shtetas dyshohet se kanë pasur role të ndryshme dhe kanë organizuar vendosjen dhe shpërthimin e lëndës plasëse në automjet me qëllim vrasjen e shtetasit Beqir Devolli, dyshuar për shkak të prishjes së pazareve në fushën e trafikimit të lëndëve narkotike në shtetet europiane.
Nga provat e siguruara rezulton se autorët e krimit janë këta 4 shtetas, si dhe persona të tjerë të identifikuar nga ana jonë, por për shkak të sekretit hetimor nuk mund të bëhen të ditura më shumë detaje.
Në kuadër të veprimeve hetimore, janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale:
Një motomjet pa targa, i cili dyshohet se është përdorur në kuadër të veprimtarisë kriminale për vendosjen e lëndës plasëse në automjetin e viktimës;
Dy automjete dhe tre aparate celularë, të cilët do t’i nënshtrohen ekzaminimeve përkatëse;
Një shumë prej 2 500 eurosh;
Një shumë prej rreth 130 000 lekësh.
Ndalimi i këtyre shtetasve u krye për veprën penale “Vrasja me paramendim” e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 78 dhe 25 i Kodit Penal.
Për zbardhjen e kësaj ngjarjeje të rëndë është punuar intensivisht nga strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Gjirokastër, duke bashkëpunuar me strukturat e Drejtorive Vendore të Policisë Vlorë, Fier dhe Komisariatin e Policisë Nr. 6 Tiranë, nën drejtimin e Prokurorisë, ku gjej rastin t’i falënderoj për bashkëpunimin e shkëlqyer dhe punën profesionale të bërë për këtë rast.
Dua të falënderoj qytetarët e Qarkut Gjirokastër për ndihmën e dhënë për dokumentimin e kësaj ngjarjeje, si dhe t’i siguroj se strukturat e Policisë që operojnë në territorin e qarkut Gjirokastër janë tërësisht të angazhuara për të garantuar rendin e sigurinë dhe për të luftuar çdo paligjshmëri që shfaqet në territor, e në këtë kuadër i ftoj që të besojnë e të bashkëpunojnë me Policinë, pasi bashkërisht ndërtojmë një ambient edhe më të sigurt.
Ju faleminderit!


