VIDEO/ 40 sekonda tmerri në Venezuelën, momenti kur tërmetet rrafshuan lagje të tëra, mijëra persona nën rrënoja

Bota

VIDEO/ 40 sekonda tmerri në Venezuelën, momenti kur tërmetet

Të paktën 32 persona kanë humbur jetën dhe rreth 700 të tjerë janë plagosur pas dy tërmeteve të fuqishme që goditën Venezuelën mbrëmjen e së mërkurës, duke shkaktuar dëme të mëdha materiale dhe panik në të gjithë vendin.

Sipas autoriteteve venezueliane, tërmetet me magnitudë 7.2 dhe 7.5 u regjistruan me vetëm një minutë diferencë nga njëri-tjetri, ndërsa epiqendra ndodhej pranë qytetit Morón, rreth 168 kilometra në perëndim të kryeqytetit Caracas.

Banorët e Caracas-it dhe zonave të tjera të prekura u detyruan të braktisnin shtëpitë dhe ndërtesat, ndërsa shumë prej tyre kaluan orë të tëra në rrugë nga frika e lëkundjeve të tjera. Në disa lagje janë shembur ndërtesa, janë rrëzuar shtylla elektrike dhe janë bllokuar rrugë nga mbetjet e ndërtimeve.

Autoritetet kanë shpallur gjendjen e emergjencës, ndërsa ekipet e kërkim-shpëtimit vijojnë operacionet për nxjerrjen e personave të bllokuar nën rrënoja. Shërbimet e metrosë dhe furnizimi me gaz natyror në kryeqytet janë pezulluar për arsye sigurie.

Dëme të konsiderueshme janë raportuar edhe në Aeroportin Ndërkombëtar Simón Bolívar, i cili është mbyllur përkohësisht. Gjithashtu, aktiviteti mësimor është ndërprerë për disa ditë, ndërsa një pjesë e shkollave po përdoren si strehimore dhe qendra ndihmash për familjet e prekura.

Pamjet nga zonat e goditura tregojnë ndërtesa të shembura, rrugë të mbuluara nga rrënojat dhe banorë që kërkojnë të afërmit e tyre mes kaosit. Në disa zona është ndërprerë energjia elektrike dhe komunikimi telefonik.

Ndërkohë, komuniteti ndërkombëtar ka shprehur gatishmërinë për të ndihmuar Venezuelën në përballimin e pasojave të katastrofës natyrore. Operacionet e emergjencës vijojnë, ndërsa bilanci i viktimave dhe të plagosurve pritet të ndryshojë në orët në vijim.

ME TE LEXUARAT