U plagos me armë zjarri nga shkrimtari i njohur, kryeministrit sllovak vijon të jetë në rrezik për jetën

Bota

U plagos me armë zjarri nga shkrimtari i njohur, kryeministrit sllovak

Kryeministri i Sllovakisë, Robert Fico, vazhdon të jetë në gjendje të rëndë nën kujdes intensiv dhe do të mbetet në spitalin e qytetit Banksa Bistrica së paku deri më 20 maj, thanë të premten zyrtarët qeveritarë dhe mediat lokale.

Ai mund të zhvendoset në spitalin e kryeqytetit sllovak Bratislavë pas kësaj date, sipas tyre. Fico, i cili u qëllua katër herë me armë zjarri më 15 maj, është në gjendje të flasë paksa dhe gjendja e tij shëndetësore është përmirësuar prej se u sulmua, pasi plagët ia vunë jetën në rrezik.

Mediat lokale raportuan të premten se mjekët do ta vlerësojë gjendjen e Ficos më 20 maj për të vendosur nëse ai mund të zhvendoset në spitalin e kryeqytetit.

Fico, një politikan veteran në Sllovaki që u rikthye për t’u bërë kryeministër për herë të katërt pasi partia e tij Smer i fitoi zgjedhjet shtatorin e kaluar, kishte dalë nga një takim i Qeverisë së tij në qytetin Handlova, gati 200 kilometra në verilindje të kryeqytetit sllovak, kur një burrë i armatosur iu afrua dhe e qëlloi.

Sulmuesi ishte i “motivuar politikisht”, tha të enjten zëvendëskryeministri Robert Kalinak, i cili është edhe ministër i Mbrojtjes dhe aleat i ngushtë i Ficos në partinë e tij Smer.

Mediat lokale raportuan të enjten se i dyshuari për atentatin ndaj Ficos, i cili u arrestua në vendin e ngjarjes pak çaste pasi shtiu me armë zjarri, akuzohet për tentim-vrasje.

Emri i të dyshuarit nuk është bërë i ditur, por mediat raportojnë se ai është një burrë 71-vjeçar. Presidentja sllovake, Zuzana Caputova, bëri thirrje të enjten që të ndalet “urrejtja e dhunshme” që e ka kapluar Sllovakinë.

“Ne duhet të dalim nga ky cikël i urrejtjes së dhunshme dhe nga akuzat e ndërsjella. Ajo që ndodhi dje, ishte akt individual, por atmosfera e tensionuar e urrejtjes është vepër e jona e përbashkët”, tha ajo./REL

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion