Trump zhgënjen Arabinë Saudite, Princi Bin Salman i telefonoi dy herë, por SHBA refuzoi të qëllonte rebelët Houthi

Arabia Saudite i kërkoi ndihmë Shteteve të Bashkuara për t’iu kundërpërgjigjur sulmeve të organizatës Houthi, por Donald Trump tha “jo”.
Sipas mediave amerikane, princi saudit Mohammed bin Salman e telefonoi dy herë presidentin amerikan brenda së njëjtës ditë.
Në telefonatën e dytë, kërkesa ishte e drejtpërdrejtë: autorizimi i sulmeve ndaj Huthëve. Trump refuzoi. Presidenti amerikan tha se “Uashingtoni do të ofrojë mbështetje me informacionet e shërbimeve amerikane të inteligjencës, por nuk do të ndërhyjë ushtarakisht”.
Shqetësimi i madh i Riadit është Deti i Kuq dhe ngushtica e Bab el-Mandebit, një nga korridoret më të rëndësishme të tregtisë dhe transportit të energjisë.
Huthët, të mbështetur nga Irani, kanë forcuar pozitat e tyre përgjatë bregdetit të Jemenit.
Marrja nën kontroll e Mocha-s dhe ishullit Perim rrit frikën se grupi mund të kërcënojë lëvizjen e anijeve në këtë pikë strategjike.
Për Arabinë Saudite, rreziku nuk lidhet vetëm me trafikun detar. Huthët kanë kërcënuar edhe eksportet saudite të naftës, duke rrezikuar një prej rrugëve alternative të furnizimit, në një kohë kur tensionet me Iranin kanë vënë në pikëpyetje kalimin përmes Hormuzit. Nëse Bab el-Mandebi do të bllokohej, pasojat do të ndiheshin shumë përtej rajonit.
Në këtë korridor kalon një pjesë e rëndësishme e tregtisë botërore dhe e furnizimeve me naftë.
Por Trump nuk duket i gatshëm të hapë një front të ri ushtarak.
Presidenti amerikan ka përsëritur se nuk dëshiron një tjetër konflikt dhe ka lënë të kuptohet se prioriteti i tij është të shmangë përshkallëzimin.


