Prapaskenat e Downing Street / Ish-këshilltarja e Starmer: Qeveria, një “klub burrash” ku ndihesha e spiunuar

Bota

Prapaskenat e Downing Street / Ish-këshilltarja e Starmer: Qeveria,

Sue Gray, ish-këshilltarja më e fuqishme e Keir Starmer në Downing Street, ka zbuluar prapaskenat e tensionuara të qeverisë britanike, duke thënë se atmosfera në zyrën e kryeministrit ishte bërë “e padurueshme” dhe se kishte frikë se kolegët po regjistronin bisedat e saj për t’ua përcjellë më pas mediave.

Në një intervistë për podcastin Political Currency, Gray foli për herë të parë në mënyrë të detajuar për periudhën e saj të shkurtër në Downing Street dhe tensionet që shoqëruan muajt e parë të qeverisë së Starmer.

Gray, e cila dha dorëheqjen në vitin 2024 pasi kishte qenë këshilltarja kryesore e Starmer, tha se ishte veçanërisht e zhgënjyer që kryeministri nuk kishte ndërmarrë më shumë masa ndaj informacioneve që, sipas saj, dilnin nga stafi i tij drejt gazetarëve.

“Arriti deri në pikën kur e dini se gjithçka që thoni, ndiheni sikur dikush po e regjistron”, tha ajo. Gray kujtoi një periudhë të karakterizuar nga rrjedhje të vazhdueshme informacioni në media dhe përplasje brenda ekipit të Starmer.

Një prej historive të raportuara në atë kohë lidhej me pretendimin se ajo kishte kërkuar që Morgan McSweeney, një prej njerëzve më të afërt me kryeministrin, të zhvendosej më larg zyrës së tij.

Gray e mohoi këtë interpretim, duke shpjeguar se kishte sugjeruar vetëm gjetjen e një hapësire më të përshtatshme për shkak të numrit të madh të njerëzve që punonin në një zyrë të vogël.

Ajo tha se kishte diskutuar disa herë me Starmer për shqetësimet e saj, por nuk dëshironte të zbulonte përmbajtjen e bisedave private. Megjithatë, ajo shtoi se ishte “e zhgënjyer që nuk u bë më shumë” për të ndaluar rrjedhjet.

“Atmosfera ishte padyshim e padurueshme, veçanërisht për mua”, deklaroi Gray, duke e përshkruar atë periudhë si “shumë, shumë të vështirë”.

Deklaratat e Gray rikthejnë në vëmendje tensionet që përfshinë Downing Street në muajt e parë të qeverisë Starmer.

Në atë periudhë, në media u publikuan një sërë informacionesh për përplasjet brenda ekipit të kryeministrit, përfshirë edhe raportimet mbi pagën e Gray, e cila ishte më e lartë se ajo e vetë kryeministrit, si dhe marrëdhëniet e saj me disa prej këshilltarëve më të rëndësishëm.

Gray ka folur gjithashtu për ekzistencën e një kulture të përshkruar si “klub burrash” në Downing Street. Por disa ish-këshilltare femra që punuan në atë periudhë e kanë kundërshtuar këtë version.

Një prej tyre e përshkroi pretendimin për rrjedhje të qëllimshme kundër Gray si “paranojë”, ndërsa një tjetër tha se gjatë kohës së saj në Downing Street nuk kishte vënë re ekzistencën e një “klubi burrash”.

Sue Gray qëndroi vetëm rreth katër muaj në detyrën e shefes së stafit të Starmer, pavarësisht se kishte luajtur një rol të rëndësishëm në përgatitjet e Labour për marrjen e pushtetit. Ajo u zëvendësua nga Morgan McSweeney.

Vetë Starmer ka pranuar më herët se emërimi i Gray ishte një gabim, ndërsa aleatët e tij e kanë kritikuar për përgatitjet për qeverisjen, veçanërisht për planin e 100 ditëve të para.

Gray i ka mbrojtur përgatitjet e saj, duke argumentuar se ishte bërë një punë e konsiderueshme për çështje që nga marrëdhëniet britaniko-irlandeze deri te bashkëpunimi me Komisionin Europian dhe administratën amerikane.

Duke reflektuar mbi atë që sipas saj shkoi keq në fillimet e qeverisë Starmer, Gray tha se përvoja e saj e kishte bindur se kalimi nga opozita në qeveri kërkonte njerëz me më shumë përvojë.

“Qeveria dhe opozita janë shumë të ndryshme”, tha ajo, duke shtuar se në drejtimin e komunikimit, politikave dhe strategjisë duheshin vendosur njerëz me “përvojë më të madhe”.

Gray, e cila tashmë është anëtare e Dhomës së Lordëve, ka përjashtuar për momentin një rikthim të menjëhershëm në një post të rëndësishëm qeveritar, duke thënë se po e shijon jetën jashtë qeverisë.

 

ME TE LEXUARAT