Takimi SHBA-Rusi/ Evropa në ankth: A do të ketë pasoja për të pas mospjesëmarrjes në bisedime

Bota

Takimi SHBA-Rusi/ Evropa në ankth: A do të ketë pasoja për

Lufta e Rusisë në Ukrainë po hyn në vitin e katërt dhe udhëheqësit evropianë janë të shqetësuar se rezultatet e bisedimeve mes Moskës dhe Uashingtonit do të kenë pasoja të mëdha për Evropën. Siç raporton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Henry Ridgëell, liderët evropianë dhe Ukraina frikësohen se mund të përjashtohen nga procesi vendimmarrës që do të përcaktojë fatin e tyre.

Konflikti që ka nisur pas kalimit të tankeve ruse në Ukrainë tre vjet më parë ka shkaktuar luftën më të ashpër në territorin evropian që nga Lufta e Dytë Botërore. Ndërkohë që luftimet vazhdojnë në vijën e frontit, ekspertët si Ben Barry nga Instituti Ndërkombëtar për Studime Strategjike, vlerësojnë përparimin e forcave ruse.

“Çdo ditë fronti ukrainas zmbrapset me nga një kilometër. Mendimi im është se kjo mund të vazhdojë gjatë gjithë këtij viti”, thotë zoti Barry.

Por pas kuintave, forcat gjeopolitike që ndikojnë tek konflikti duket se po ndryshojnë me shpejtësi.

Rusia dhe SHBA fillojnë bisedimet për paqe në Arabinë Saudite, Ukraina dhe Evropa të përjashtuara.

“Do të ketë alarmim shumë domethënës në kryeqytetet evropiane për atë që mund të jetë diskutuar në lidhje me sigurinë e kontinentit të tyre, të gjithë rajonit të tyre. Një ndër rezultatet e mundshme jo të mira mund të jetë kur kryeqytetet evropiane të kuptojnë se amerikanët u kanë lënë detyrën, pa i pyetur, të një lloj misioni paqeruajtës në Ukrainë, ose diçkaje të ngjashme”, thotë David Blagden, profesor për sigurinë ndërkombëtare në Universitetin e Exeterit.

Britania dhe Franca shprehin gatishmërinë për të kontribuar me forcë paqeruajtëse në Ukrainë, por shqetësimet mbeten për rreziqet e mundshme.

“Shtetet e Bashkuara duket sikur kanë hequr Nenin 5 të Traktatit të NATO-s për sa i përket forcave që mund të dislokohen në Ukrainë. Kjo do të thotë se ato nuk do të kishin mbrojtje, pra bie efekti parandalues. Pra është shumë e mundshme që Rusia të shkelë kushtet e armëpushimit apo marrëveshjes së paqes që mund të arrihet. Kjo në vazhdim shtron pikëpyetjen se çfarë do të bëjnë evropianët si kundërpërgjigje?”, thotë analistja Armida van Rij, nga organizata “Chatham House”.

Bashkimi Evropian ka ofruar Ukrainës rreth 145 miliardë dollarë në formë ndihmash ushtarake, financiare, humanitare dhe për refugjatët gjatë tre viteve të fundit, duke përbërë mbi gjysmën e ndihmës totale për Kievin. Ndërkohë, sekretari amerikan i mbrojtjes ka deklaruar se siguria evropiane nuk do të jetë më prioritet kryesor dhe ka kërkuar nga aleatët e NATO-s që të rrisin shpenzimet për mbrojtjen.

“Një çështje kryesore është se nga do të vijnë paratë. Komisioni Evropian duket i hapur për të lejuar një lloj fleksibiliteti për rregullat fiskale. Por, e gjitha kjo do të dojë kohë; pra, do të jetë vërtet e vështirë”, thotë zonja van Rij.

Vendime të vështira, me pasoja të mëdha për Evropën, thotë sekretari britanik i Mbrojtjes, John Healey.

“Vendimet që marrim tani, gjatë javëve në vazhdim, do të përkufizojnë jo vetëm rezultatin e konfliktit në Ukrainë, por edhe sigurinë e botës tonë gjatë gjeneratës së ardhshme”, thotë zoti Healey.

Shumë në rajon shqetësohen se këto vendime po merren pa pjesëmarrjen e Evropës.

 

ME TE LEXUARAT