Tajfuni godet Kinën dhe Hong Kongun, mbi 715 mijë persona evakuohen dhe anulohen qindra fluturime

Tajfuni Noul ka goditur të dielën herët brigjet jugore të Kinës, duke sjellë erëra të fuqishme dhe reshje të dendura shiu në disa zona, përfshirë Hong Kongun. Sipas autoriteteve kineze, bëhet fjalë për tajfunin më të fuqishëm që ka prekur tokën në Kinë gjatë këtij viti.
Stuhia shkaktoi evakuimin e më shumë se 715 mijë banorëve në provincën Guangdong, ndërsa autoritetet ngritën nivelin maksimal të alarmit për përmbytje të mundshme në disa rajone.
Tajfuni Noul, cikloni i 12-të tropikal i këtij viti dhe i treti që prek Kinën gjatë këtij muaji, goditi bregdetin e kontesë Huidong rreth orës 03:50 të mëngjesit. Meteorologët paralajmëruan se reshjet e dendura do të vazhdojnë për disa ditë dhe mund të prekin edhe provincat Jiangxi, Hunan dhe Fujian.
Qendra Kombëtare Meteorologjike e Kinës parashikoi reshje nga të dendura deri në ekstreme në pjesë të jugut të vendit, duke paralajmëruar për rrezik të lartë për përmbytje në zonat malore, pranë lumenjve, kantieret e ndërtimit dhe urat.
Në Hong Kong, Observatori Meteorologjik njoftoi se tajfuni kishte erëra maksimale të qëndrueshme rreth 110 km/orë dhe pritej të dobësohej gradualisht ndërsa lëvizte drejt brendësisë së provincës Guangdong.
Stuhia shkaktoi ndërprerje të mëdha në transport. Rreth 350 fluturime u anuluan në aeroportin e Hong Kongut, ndërsa shërbimet hekurudhore në provincën Guangdong u pezulluan përkohësisht. Autoritetet raportuan se të paktën 9 persona u plagosën në Hong Kong gjatë periudhës së tajfunit.
Erërat e forta shkaktuan gjithashtu dëme materiale, me pemë të rrëzuara në disa zona bregdetare. Në Hong Kong, një pjesë e skelave të një ndërtese të lartë u shemb gjatë afrimit të tajfunit, por nuk u raportuan viktima.
Tajfuni Noul vjen pas disa stuhive të tjera të fuqishme që kanë goditur Kinën këtë muaj, përfshirë tajfunin Bavi, i cili detyroi më shumë se 2 milionë persona të largohen nga banesat e tyre.


