Skenarët për arritjen e paqes në Ukrainë, ja propozimi që Donald Trump i ka bërë aleatëve!

Bota

Skenarët për arritjen e paqes në Ukrainë, ja propozimi

Presidenti Donald Trump po bën përpjekje për një zgjidhje paqësore të luftës në shkallë të plotë tashmë trevjeçare të Rusisë në Ukrainë. Zëri i Amerikës shqyrtoi disa përqasje të ndryshme të paraqitura nga organizatat studimore kohët e fundit që synonin arritjen e një paqeje të qëndrueshme për këtë luftë.

Strategjia e trysnisë maksimale

Një plan i Qendrës për Analizën e Politikave Evropiane (CEPA), i titulluar "Si të fitohet: Një plan me shtatë pika për paqe të qëndrueshme në Ukrainë", bën thirrje për "një strategji trysnie maksimale për ta sjellë Rusinë në tryezën e negociatave me mirëbesim".

Plani propozon që Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre:

· "Duhet të ofrojnë mbështetje materiale të menjëhershme për Ukrainën pa kushte, duke synuar lodhjen e ushtrisë ruse dhe në këtë mënyrë përmirësimin e pozicitave negociuese të Ukrainës".

· "Duhet të rriten sanksionet ndaj institucioneve financiare ruse dhe subjekteve të sektorit energjetik, të përdoren pasuritë e ngrira ruse për të mbështetur mbrojtjen dhe rindërtimin e Ukrainës dhe të vendosen sanksione dytësore për të intensifikuar trysninë ekonomike jo vetëm ndaj Rusisë, por edhe ndaj regjimeve autoritare të Kinës, Iranit dhe Koresë së Veriut".

CEPA thotë se "Ukraina dhe Evropa" duhet të përfshihen në bisedimet për paqe me Rusinë, se Shtetet e Bashkuara duhet të mbështesin "një koalicion të vullnetshëm të udhëhequr nga evropianët" për të zbatuar një "vijë armëpushimi me një forcë ndërkombëtare" dhe se "aleatët evropianë duhet të bëjnë përparim të qëndrueshëm dhe sa më të shpejtë të jetë e mundur drejt anëtarësimit të Ukrainës në Bashkimin Evropian".

Një nga autorët e raportit, Catherine Sendak, drejtuese në CEPA për mbrojtjen dhe sigurinë transatlantike, i tha shërbimit ukrainas të Zërit të Amerikës se Shtetet e Bashkuara duhet të hyjnë në bisedime me Rusinë vetëm duke "pajisur Ukrainën me mjetet më të forta të mundshme" dhe duke përdorur "mjetet e tyre diplomatike" më të vështira.

Ajo shtoi se çështja e anëtarësimit të mundshëm të Ukrainës në NATO nuk duhet të përfshihet në bisedimet me Rusinë. "Ta diskutosh këtë me një vend jo-anëtar të NATO-s ... nuk besoj se është e dobishme për ndonjë negociatë", tha zonja Sendak, duke vënë në dukje se kjo do t'i jepte Rusisë "të drejtën e vetos, nëse dëshironi, mbi ... përzgjedhjen e anëtarëve për t'u bërë pjesë, ose jo, e aleancës".

Taktikat e negociatave

Josh Rudolph, studiues në Fondin Marshall Gjerman dhe kreu i Grupit të Punës të Demokracisë Transatlantike, ka punuar mbi politikat me Rusinë dhe Ukrainën në Këshillin e Sigurisë Kombëtare gjatë administratës së parë të Presidentit Trump. Muajin e kaluar, ai ofroi rekomandime politike për administratën aktuale të Presidentit Trump për përfundimin e konfliktit në Ukrainë.

Ndër to:

“Afrojuni [presidentit rus Vladimir] Putin nga një pozitë e fortë. Ndërsa Putini dukej i ashpër dhe i aftë në fillim të mandatit të parë të (Presidentit) Trump, gabimi i tij në Ukrainë e ka lënë atë në pozita të dobësuara. Si partneri dominant në këtë marrëdhënie, (Presidenti) Trump dhe jo Putini, mund të përcaktojë kushtet negociuese”.

“Të dini kur të largoheni. Një moment jetik në negociata do të vijë kur Putini të refuzojë të bëjë lëshime të mëdha. (Presidenti) Trump duhet të jetë i përgatitur të largohet”.

“Kombinoni sanksionet me çmimet më të ulëta të naftës dhe gazit. Mënyra më e mirë për ta bërë Putinin të kuptojë se presioni në Ukrainë do të sillte katastrofë për sundimin e tij është t'i bësh trysni Rusisë financiarisht… Duke shfrytëzuar marrëdhëniet e tij më të ngrohta me Arabinë Saudite krahasuar me ato që kishte [ish-Presidenti Joe] Biden, (Presidenti) Trump duhet të furnizojë tregun e karburanteve fosile, gjë që do t'i bënte sanksionet të qëndrueshme, do t'i shkaktonte mangësi makinerisë së luftës ruse dhe do të gjeneronte rreziqe të stabilitetit politik në Moskë”.

Zoti Rudolph rekomandoi gjithashtu armatosjen “e plotë” të Ukrainës; duke i dhënë asaj "të gjitha 300 miliardë dollarët e pasurive të ngrira të Rusisë"; duke e bërë Evropën "të paguajë më shumë për armët" dhe të sigurojë 100,000 forca si "paqeruajtës"; duke u mundësuar “kompanive amerikane të rindërtojnë Ukrainën”; dhe ftesën e Ukrainës për t'u bashkuar me NATO-n nëse Presidenti rus Putin refuzon të pranojë kushtet "e arsyeshme" të marrëveshjes së paqes.

Zoti Rudolph i tha Zërit të Amerikës se Presidenti Trump mund t'i bindë ata që janë skeptikë në Shtetet e Bashkuara për vazhdimësinë e armatosjes së Ukrainës, se nga një gjë e tillë si pjesë e një marrëveshjeje paqeje do të përfitonin punëtorët amerikanë.

“Ai mund t’u thotë atyre, OK, tani kemi një marrëveshje të mirë, është siguruar nga mineralet e rralla, i ka dhënë fund luftës dhe për ta mbajtur në fuqi, do të na duhet të ofrojmë një vazhdimësi furnizimi me armë të prodhuara nga Amerika, të cilat, meqë ra fjala, krijojnë të gjitha këto vende pune dhe objekte dhe fabrika amerikane nëpër shtetet” e qeverisura nga republikanët.

Duke kërkuar përfitime ekonomike

Në një raport të titulluar "Dollarët dhe botëkuptimi: Interesi i Amerikës për një fitore të Ukrainës", Elaine McCusker, Frederick W. Kagan dhe Richard Sims nga Instituti Amerikan i Sipërmarrjes shqyrtuan koston e ndaljes së mbështetjes për Ukrainën, duke arritur në përfundimin se kjo do të çonte në humbjen e Ukrainës dhe përparimin e Rusisë më tej brenda Evropës, duke i detyruar Shtetet e Bashkuara të rrisin praninë në Evropë.

“Presidenti i ardhshëm konservator ka një mundësi që shfaqet një herë në një brez për të sjellë zgjidhje për tensionet e politikës së jashtme brenda lëvizjes dhe për të hartuar një rrugë të re përpara që njeh Kinën komuniste si kërcënimin përcaktues ndaj interesave amerikane në shekullin e 21-të”.

James Carafano, ekspert i sigurisë kombëtare në Fondacionin Heritage, dhe drejtues i ekipit për mbrojtjen dhe politikën e jashtme, i tha Zërit të Amerikës se është në interesin e Shteteve të Bashkuara që të kenë një Ukrainë të lirë dhe të pavarur që të mund të mbrojë veten.

“Pra çështja praktike është se një Evropë e Bashkuar mund ta mbrojë veten dhe Shtetet e Bashkuara mund ta mbrojnë Evropën, nëse Ukraina pushtohet nga Rusia. Pasi e kemi bërë këtë të qartë - a jemi… më mirë me rusët në anën tjetër të Ukrainës? Dhe përgjigja është ‘absolutisht’.”/ voa

ME TE LEXUARAT