Skandal në Greqi, në një zonë me 6 mijë banorë janë vaksinuar 40 mijë qytetarë

Një skandal ka ndodhur në Greqi. Mediat vendase shkruajnë se në një qendër mjekësore në komunën Palama në Kardhicë janë vaksinuar 40 mijë qytetarë, ndërkohë që kjo zonë mban vetëm 6 mijë të tillë.
Skandali u zbulua nga një punonjëse e qendrës, që kishte lëshuar mbi 480 vërtetime vaksinimi kundër Covid 19, pa iu injektuar doza e vaksinës. Sipas mediave, në skandal janë përfshirë edhe drejtues të sektorit të shëndetësisë, ndërsa ende nuk është vërtetuar asgjë.
Aktualisht, autoritetet përkatëse kanë pezulluar stafin e kësaj qendre mjekësore, ndërkohë që ka nisur hetimi për dhënien e vërtetimeve false të testeve laboratorike PCR. Po ashtu pritet të nisi procedimi penal për të dhënat bankare të infermieres në fjalë, ndërkohë që nuk përjashtohet mundësia e ngritjes së akuzave penale edhe ndaj atyre që janë vaksinuar.


