Situatë apokaliptike në Spanjë, flakët shkrumbojnë mbi 280 mijë hektarë, qindra banorë evakuohen

Një zjarr i madh pyjor që shpërtheu rreth 100 kilometra në veri të Madridit është përhapur me shpejtësi, duke djegur më shumë se 120 mijë hektarë dhe duke detyruar qindra banorë të largohen nga shtëpitë e tyre, njoftuan autoritetet lokale.
Flakët po përhapen në rajonin e Guadalajarës, kryesisht në parkun natyror Sierra Norte. Deri tani nuk janë raportuar viktima, por autoritetet e kanë cilësuar situatën si shumë të vështirë për t’u vënë nën kontroll.
Presidenti i rajonit Castilla-La Mancha, Emiliano García-Page, deklaroi se zjarri mbetet aktiv dhe sfidues për ekipet e emergjencës. Në operacion janë angazhuar rreth 350 zjarrfikës dhe ushtarë të Njësisë Ushtarake të Emergjencave (UME), të mbështetur nga 25 mjete ajrore, në përpjekje për të frenuar përhapjen e flakëve
Zona e prekur është një territor pyjor dhe malor që strehon specie të rrezikuara, përfshirë shqiponja, ujqër dhe lloje të rralla fluturash, çka shton shqetësimet për ndikimin mjedisor të zjarrit.
Ndërkohë, Spanja po përballet edhe me një vatër tjetër të madhe zjarri pranë Zaragozës, në verilindje të vendit. Sipas autoriteteve rajonale të Aragonës, zjarri, i cili shpërtheu disa ditë më parë, ka djegur afro 160 mijë hektarë dhe ende nuk është stabilizuar. Edhe në këtë rast nuk janë raportuar viktima.
???? El incendio de Orés, en Zaragoza, es ya el peor de España de este 2026. Hasta el momento han ardido más de 15.400 hectáreas, pero el balance final podría ser mucho mayor, ya que las llamas siguen avanzando sin control pic.twitter.com/FjVtBXULm6
— EL ESPAÑOL (@elespanolcom) July 18, 2026
Spanja po kalon një sezon veçanërisht të rëndë zjarresh. Më 9 korrik, një zjarr pyjor në Andaluzinë jugore shkaktoi vdekjen e 13 personave dhe shkatërroi rreth 70 mijë hektarë tokë.
Ekspertët lidhin përkeqësimin e situatës me valët gjithnjë e më të shpeshta të të nxehtit dhe temperaturat që shpesh kalojnë 40 gradë Celsius, duke krijuar kushte të favorshme për përhapjen e zjarreve.
Sipas Sistemit Evropian të Informacionit për Zjarret në Pyje (EFFIS), gjatë vitit 2025 në Spanjë u dogjën mbi 3.93 milionë hektarë, niveli më i lartë i regjistruar në historinë e fundit të vendit. Ndërsa që nga fillimi i këtij viti, zjarret kanë shkrumbuar rreth 820 mijë hektarë.


