Shefi i NATO-s ngre alarmin: Ka rritje të trupave ruse brenda dhe rreth Ukrainës

Bota

Shefi i NATO-s ngre alarmin: Ka rritje të trupave ruse brenda dhe rreth

Dhjetëra mijëra trupa ruse ende kanë mbetur brenda dhe përreth Ukrainës, tha Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.

“Ne kemi parë ulje të numrit të trupave ruse, por dhjetëra mijëra mbeten, dhe ne gjithashtu po shohim se Rusia ka mbajtur shumë armë … dhe pajisje”, tha Stoltenberg në një prononcim përpara takimit të ministrave të mbrojtjes të BE-së në Bruksel.

Shefi i NATO-s tha se Rusia po vendos gjithashtu kufizime në Detin e Zi, përfshirë hyrjen në Detin Azov përmes ngushticës së Kerçit, duke shtuar se NATO-ja duhet të mbetet vigjilente dhe të vëzhgojë nga afër zhvillimet.

“Në përgjithësi, ekziston një prani e konsiderueshme ruse dhe ka shumë më tepër trupa ruse tani, brenda dhe rreth Ukrainës, sesa para rritjes së fundit të tensioneve”, shtoi ai.

Stoltenberg gjithashtu mirëpriti përfshirjen e SHBA-së, Kanadasë dhe Norvegjisë në Bashkëpunimin e Përhershëm të Strukturuar të BE-së (PESCO) dhe tha: “Aleatët jashtë BE-së luajnë rol thelbësor në ruajtjen dhe mbrojtjen e Evropës”.

Në kuadër të stërvitjes së NATO-s Steadfast Defender 2021, Anadolu Agency raporton se NATO-ja po vendos mijëra trupa në Rumani, tha ai gjithashtu, duke shtuar se kjo “demonstron se si ne mobilizojmë dhe ushtrojmë trupat e NATO-s dhe gjithashtu se si jemi në gjendje t’i vendosim ato në gjithë Evropën”.

“Dhe si pjesë e kësaj stërvitjeje, ka ushtarë nga Mbretëria e Bashkuar, nga Shtetet e Bashkuara, nga Turqia, kështu që kjo tregon gjithashtu rëndësinë e lëvizjes së trupave të NATO-s shpejt nëpër Evropë dhe është gjithashtu një arsye pse mobiliteti ushtarak është kaq i rëndësishëm”.

ME TE LEXUARAT