Shefi i CIA-s në një mision sekret në Moskë, çfarë fshihet pas vizitës? Ukraina apo shkëmbimi i të burgosurve?

Drejtori i CIA-s, John Ratcliffe, ka mbërritur këtë të martë në Moskë, në një vizitë që u mbajt e fshehtë deri në orët e para të ditës. Avioni i tij u ul në aeroportin Vnukovo, ndërsa lajmi u publikua fillimisht nga televizioni amerikan CBS dhe portali Axios.
As Uashingtoni dhe as Moska nuk kanë bërë komente zyrtare për vizitën. Sipas raportimeve, Ratcliffe po zhvillon takime me drejtues të shërbimeve ruse të inteligjencës, por arsyeja e misionit nuk është bërë publike.
Në mediat ndërkombëtare kanë qarkulluar disa hipoteza. Njëra prej tyre është se në tryezë mund të jetë lufta në Ukrainë dhe propozimi për paqe i presidentit Volodimir Zelenski. Një tjetër lidhet me Iranin dhe masat ekonomike të ndërmarra nga Shtetet e Bashkuara.
Kjo është vizita e parë e një drejtori të CIA-s në Moskë që nga nisja e pushtimit rus të Ukrainës në shkurt të vitit 2022. Para Ratcliffe, drejtori i fundit i agjencisë që udhëtoi në kryeqytetin rus ishte William Burns, i cili në nëntor 2021 zhvilloi takime edhe me presidentin Vladimir Putin.
Një tjetër skenar që po përmendet është mundësia e negociatave për lirimin e një ose dy shtetasve amerikanë të ndaluar në Rusi. Mes emrave që përmenden është Robert Gilman, 30 vjeç, nga Massachusetts, mësues i anglishtes dhe ish-ushtarak i marinës amerikane.
Gilman u sëmur në aeroportin e Moskës në nëntor 2021, ku ndodhej në tranzit drejt Moldavisë. Sipas raportimeve, fillimisht autoritetet i bllokuan pasaportën dhe pak ditë më vonë e arrestuan. Ai mbahet në burgun e Voronezhit, ndërsa familja e tij pretendon se përballet vazhdimisht me keqtrajtim nga rojet.
Më 11 gusht, presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se kishte siguruar lirimin e Gilman pas një bisede telefonike me Vladimir Putinin. Nëse kjo rezulton e saktë, vizita e Ratcliffe mund të lidhet me finalizimin e këtij procesi.
Në raportime përmendet edhe emri i Charles Wayne Zimmerman, i dënuar në Rusi me pesë vite burg për armë dhe municione të padeklaruara të gjetura në varkën e tij me vela. Sipas mediave, ai i ka kërkuar falje presidentit rus.
Shkëmbimet e të burgosurve mes SHBA-së dhe Rusisë janë negociuar edhe më herët me përfshirjen e CIA-s. Ratcliffe ka negociuar më parë kthimin në SHBA të Ksenia Karelina, ndërsa në vitin 2024 agjencia luajti rol në lirimin e gazetarit të Wall Street Journal, Evan Gershkovich, dhe ish-marinës amerikan Paul Whelan./CorrieredellaSera


