SHBA sulmon Iranin pas më shumë se një muaji, godet sistemet e lëshimit të raketave në ishullin Larak

Ushtria amerikane kreu të dielën sulme ndaj ishullit iranian Larak, ku forcat e Iranit ishin vëzhguar duke u përgatitur për të lëshuar raketa me mina drejt Ngushticës së Hormuzit, sipas një zyrtari amerikan. Ky është sulmi i parë i SHBA-së ndaj Iranit pas më shumë se një muaji.
Sipas zyrtarit amerikan, forcat e SHBA-së goditën dy sisteme iraniane për lëshimin e raketave në ishull. Banorët e zonës raportuan se kishin dëgjuar një shpërthim pranë ishullit Larak të dielën, bëri të ditur agjencia gjysmëzyrtare iraniane Fars.
Ishulli Larak ndodhet pranë Ngushticës strategjike të Hormuzit, një nga rrugët më të rëndësishme të transportit detar në botë, e cila vijon të jetë në qendër të tensioneve rajonale dhe përpjekjeve diplomatike.
Komanda Qendrore e SHBA-së përfundoi javën e kaluar operacionin për pastrimin e minave detare nga korridoret ndërkombëtare të lundrimit në Ngushticën e Hormuzit, sipas administratës Trump.
Presidenti Donald Trump deklaroi të martën se “Irani është njoftuar se çdo anije apo mjet lundrues që vendos mina të reja do të shkatërrohet menjëherë dhe në mënyrë sistematike”.
“Forcat amerikane po monitorojnë nga afër zonën dhe mbeten të gatshme për të mbrojtur lëvizjen e lirë të tregtisë përmes kësaj rruge ujore jetike”, deklaroi zyrtari amerikan.
Garda Revolucionare Islamike e Iranit (IRGC) paralajmëroi të dielën se do të hakmerret, pasi akuzoi atë që e cilësoi si “armikun amerikano-sionist” për sulmin ndaj ishullit Larak. Sipas saj, nga sulmi pati viktima mes forcave iraniane dhe civilëve.
Në një deklaratë të transmetuar nga televizioni shtetëror iranian IRIB, Garda Revolucionare tha se sulmi shkaktoi të vrarë dhe të plagosur mes “një numri të luftëtarëve tanë dhe bashkëkombësve tanë”.


