Sfidat e reja ushtarake, Kim Jong-un urdhëron përdorimin e IA-së në ushtri dhe modernizimin e arsenaleve
|
|
|||
![]() |
|||
Udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong-un, ka bërë thirrje për përdorimin më të gjerë të inteligjencës artificiale dhe automatizimit në armët sulmuese dhe mbrojtëse të vendit, ndërsa u ka kërkuar prodhuesve të rrisin prodhimin.
Kim i bëri këto deklarata gjatë inspektimit të disa ndërmarrjeve të mbrojtjes, nga e mërkura deri të premten, i shoqëruar nga zyrtarë të lartë dhe motra e tij me ndikim, Kim Yo-jong.
Fotot e publikuara nga mediat shtetërore e tregojnë atë gjatë vizitave në uzina që prodhojnë dronë dhe sisteme artilerie, përfshirë sistemet masive të raketavehedhësve shumëfishtë 600 mm (MLRS).
I njohur jashtë Koresë së Veriut si KN-25, ky sistem ngjan me HIMARS-in e prodhuar në SHBA, por është zhvilluar përtej një sistemi konvencional raketashhedhës shumëfishtë, duke funksionuar në praktikë si një lëshues raketash balistike me rreze të shkurtër veprimi.
“Artileria jonë duhet të ketë kapacitet sulmues sa më të përqendruar, shkatërrues, masiv dhe të gjithanshëm, si dhe të përmbushë me përgjegjësi dy misionet e saj: parandalimin e luftës dhe zhvillimin e saj”, deklaroi udhëheqësi i Koresë së Veriut, sipas agjencisë KCNA.
Kim bëri gjithashtu thirrje për përdorim më të gjerë të inteligjencës artificiale në “sistemet e armëve luftarake sulmuese dhe mbrojtëse”, si dhe për përmirësimin e blindimit dhe automatizimit të armatimit të artilerisë, raportuan mediat shtetërore. Ai udhëzoi gjithashtu fabrikat prodhuese të rrisin prodhimin dhe të përmirësojnë “kushtet dhe mjedisin e prodhimit”.
Sipas raportimeve, lideri i Koresë së Veriut “shprehu kënaqësi të madhe”, pasi konstatoi se shumica e fabrikave po përmbushin objektivat e prodhimit për të realizuar “planet e mëdha” të përcaktuara nga Komisioni Qendror Ushtarak i Partisë, organi më i lartë i vendit për çështjet dhe planifikimin ushtarak.
Përpara se t’i bashkohej klubit të vendeve me armë bërthamore në mesin e viteve 2000, Koreja e Veriut mbështetej në një arsenal të gjerë artilerie për parandalim, pasi kryeqyteti i Koresë së Jugut, Seuli, ndodhet brenda rrezes së artilerisë konvencionale.
Pheniani ka punuar së fundmi për modernizimin dhe zgjerimin e arsenalit të tij të artilerisë, ndërsa disa prej sistemeve raketore në arsenalin e tij mund të përdoren gjithashtu për transportimin dhe lëshimin e armëve bërthamore.



