Sekretari Amerikan i Mbrojtjes: SHBA do të përgjigjen ushtarakisht nëse Kina sulmon Tajvanin

Bota

Sekretari Amerikan i Mbrojtjes: SHBA do të përgjigjen ushtarakisht

Teksa kryesoi forumin për mbrojtjen “Dialogu Shangri-La” në Singapor, Sekretari i Mbrojtjes i Shteteve të Bashkuara, Pete Hegseth, paralajmëroi se kërcënimi i Kinës është real dhe potencialisht i afërt.

“Pekini po përgatitet për të përdorur forcën ushtarake për të ndryshuar ekuilibrin e fuqisë në Indo-Paqësor. Presidenti kinez Xi Jinping ka urdhëruar ushtrinë e tij të pushtojë Tajvanin deri në vitin 2027. Çdo përpjekje e Kinës komuniste për të pushtuar Tajvanin me forcë do të rezultonte në pasoja shkatërruese për Indo-Paqësorin dhe botën”.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes përsëriti vërejtjen e Trump se Kina nuk do ta pushtonte Tajvanin nën administratën e Trump.

Hegseth i siguroi aleatët e Uashingtonit në rajonin Indo-Paqësor se ata nuk do të braktiseshin për t’u përballur me presionet në rritje ushtarake dhe ekonomike nga Pekini.

SHBA nuk kërkon luftë apo konflikt me Kinën, shtoi Hegseth por nëse do të ishte nevoja ata do ta bënin. “Ne nuk kërkojmë të dominojmë apo mbysim Kinën, ta rrethojmë apo provokojmë. Ne nuk kërkojmë ndryshimin e regjimit, por duhet të sigurojmë që Kina të mos na dominojë ne ose aleatët dhe partnerët tanë,” tha ai, duke shtuar “ne nuk do të largohemi nga ky rajon rëndësisëm”.

Ai gjithashtu u bëri thirrje aleatëve aziatikë të rrisin shpenzimet e tyre të mbrojtjes.

“Anëtarët e NATO-s po zotohen të shpenzojnë 5% të PBB-së së tyre për mbrojtje, madje edhe Gjermania, ndërsa aleatët kryesorë në Azi shpenzojnë më pak për mbrojtje përballë një kërcënimi edhe më të frikshëm, për të mos përmendur Korenë e Veriut”.

Hegseth kritikoi gjithashtu Kinën për përpjekjet e saj për të rritur ndikimin e saj rreth Kanalit të Panamasë. Delegacioni kinez, perfaqësohej në forum nga oficerë të nivelit më të ulët nga Universiteti Kombëtar i Mbrojtjes.

Dialogu Shangri-La, i cili tërheq zyrtarë të lartë të mbrojtjes, oficerë të lartë ushtarakë, diplomatë, prodhues armësh dhe analistë të sigurisë nga e gjithë bota, do të mbyllet të dielën e 1 Qershorit në Singapor.

ME TE LEXUARAT