“Sa herë që fus kokën nën jastëk…”, fëmijët e Gazës tregojnë për sulmet e frikshme të Izraelit

“Sa herë që ka një sulm ajror ne trembemi, sa herë që përpiqemi të shpëtojmë dhe dalim tek dera, ka një sulm tjetër që na detyron të kthehemi mbrapsht”.
Fëmijët e Gazës rrëfehen për dhunën që po përjetojnë në një nga territoret më të vështira për disa dekada.
Përshkallëzimi i ri i dhunës mes Izraelit dhe Palestinës ka prodhuar një bilanc negativ në Rripin e Gazës, duke shënuar 212 viktima dhe mes tyre 61 fëmijë.
OKB, deklaroi se po punon për një armëpushim të menjëhershëm, por kryeministri izraelit Benyamin Netanyahu sqaroi se armëpushimi mes dy vendeve është ende larg.
Javën e kaluar, 61 fëmijë janë vrarë në Gaza dhe dy në Izraelin jugor. Më shumë se një mijë persona, duke përfshirë 366 të mitur, janë plagosur në Gaza, barazvlefshëm me gati tre fëmijë të plagosur çdo orë duke filluar që nga përshkallëzimi i konfliktit me 14 maj.
Dhjetra persona janë plagosur gjithashtu edhe në Izraelin jugor.
Denoncimi ka ardhur nga Save The Children, një nga organizatat kryesore që ka luftuar për dekada të tëra për shpëtimin e fëmijëve nga rreziku dhe për t’u garantuar atyre një të ardhme, e cila sot po bën thirrje të vazhdueshme për një armëpushim të menjëhershëm.
“Sa herë që fus kokën nën jastëk, ndodh një sulm tjetër dhe zgjohem i tmerruar. Sa herë që ka një sulm ajror apo një zhurmë të fortë, ne fillojmë të qajmë. Edhe atëherë që përpiqemi të flemë ndodhin sulme ajrore dhe zgjohemi të frikësuar. Ne duam të jetojmë si të gjithë fëmijët në vende të tjera ku mund të luajnë në oborret e tyre dhe në vend të kësaj ne jetojmë të frikësuar. Pse po na ndodh e gjithë kjo?”, tregojnë fëmijët për Save The Children.
Ndërsa bombardimet vazhdojnë pa pushim, objektet shëndetësore mund të mbesin pa energji elektrike të nevojshme ku do të jetë akoma edhe më e vështirë për të ofruar kujdes të menjëhershëm.
Gjithashtu, fëmijët e sëmurë rëndë dhe të plagosur nuk mund të largohen nga Gaza për t’u kuruar.


