"Rusia do sulmojë territorin e NATO-s deri në 2029", shefi i ushtrisë gjermane: Duhet të përgatitemi

Shefi i Shtabit të Forcave të Armatosura Gjermane, Carsten Breuer, ka urdhëruar që ushtria gjermane të pajiset plotësisht me armë dhe pajisje të tjera deri në vitin 2029, sipas një dokumenti të parë nga Reuters të martën.
Deri në vitin 2029, Rusia mund t’i ketë rindërtuar forcat e saj mjaftueshëm për të sulmuar territorin e NATO-s, sipas vlerësimeve të Breuer dhe zyrtarëve të tjerë të lartë të NATO-s .
Dokumenti i titulluar "Udhëzime Prioritare për Forcimin e Përgatitjes", të cilin Breuer e nënshkroi më 19 maj, thotë se Gjermania do ta arrijë qëllimin me ndihmën e fondeve të vëna në dispozicion falë lehtësimit të "frenës së borxhit".
Ministria e Mbrojtjes nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment.
Në direktivë, Breuer përcakton përparësitë për armët që duhet të blihen ose të vendosen, pjesërisht bazuar në përparësitë e përcaktuara nga NATO. Midis këtyre është forcimi i mbrojtjes ajrore të Gjermanisë, veçanërisht me qëllim kapjen e dronëve.
Vitin e kaluar, burime i thanë Reuters se NATO do t'i kërkonte Berlinit të katërfishonte aftësitë e saj të mbrojtjes ajrore, të cilat përfshijnë sisteme me rreze të shkurtër dhe më të gjatë veprimi, siç janë bateritë Patriot.


