Rritet sërish çmimi i naftës, shkon në mbi 81 dollarë për fuçi

Bota

Rritet sërish çmimi i naftës, shkon në mbi 81 dollarë

Çmimet e naftës kanë shënuar rritje në hapjen e tregjeve aziatike, mes shqetësimeve në rritje për situatën në Lindjen e Mesme dhe pasigurive lidhur me lundrimin në Ngushticën e Hormuzit.

Nafta Brent, që shërben si pikë referimi për tregun evropian, u ngjit mbi 81 dollarë për fuçi. Në orët e para të tregtimit, Brent u kuotua në 81.64 dollarë për fuçi, me një rritje prej 1.31%, ndërsa nafta bruto amerikane (WTI) u rrit me 1.87%, duke arritur në 78.78 dollarë për fuçi.

Sipas raportimeve, rritja e çmimeve lidhet me tensionet e vazhdueshme rreth Ngushticës së Hormuzit, pasi Teherani njoftoi sërish kufizime për kalimin e anijeve dhe akuzoi Shtetet e Bashkuara se nuk kanë siguruar një armëpushim në Liban.

Në të njëjtën kohë, bisedimet mes SHBA-së dhe Iranit në Zvicër vijojnë, por pa shenja të qarta për uljen e tensioneve. Media shtetërore iraniane raportoi se delegacioni i Teheranit ka vendosur si kusht për vazhdimin e negociatave përfundimin e luftës në Liban, ndërsa ka theksuar se programi bërthamor iranian nuk do të jetë pjesë e diskutimeve.

Nga ana tjetër, presidenti amerikan Donald Trump ka përsëritur paralajmërimet për ndërmarrjen e sulmeve të reja ndaj objektivave të lidhura me Iranin nëse Teherani nuk frenon grupet që mbështet në Liban. Ai gjithashtu ka paralajmëruar Iranin të mos ndërmarrë hapa për mbylljen e Ngushticës së Hormuzit, duke lënë të hapur edhe mundësinë e vendosjes së tarifave ekonomike në mungesë të një marrëveshjeje.

Analistët vlerësojnë se zhvillimet gjeopolitike në rajon po ndikojnë drejtpërdrejt në tregjet globale të energjisë, ndërsa çdo përshkallëzim i mëtejshëm i krizës mund të sjellë luhatje të reja në çmimet e naftës.

 

 

 

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion