Rrëzimi i një avioni mallrash, ky shtet shpall gjendje të jashtëzakonshme

Bota

Rrëzimi i një avioni mallrash, ky shtet shpall gjendje të

Guvernatori i Kentakit, Andy Beshear, ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme në këtë shtet amerikan, pasi një avion mallrash i UPS-it u rrëzua pak pasi u nis nga aeroporti në Luisvill, duke vrarë të paktën nëntë persona.

Pak pas nisjes nga aeroporti, avioni u përfshi nga flakët dhe më pas u rrëzua, duke shkatërruar dy biznese që gjendeshin afër aeroportit dhe duke shkaktuar vonesa në operacionet e kësaj kompanie të transportimit të mallrave.

Beshear u tha gazetarëve se pret që numri i viktimave të rritet, pas aksidentit që ndodhi të martën. Avioni u rrëzua pranë një zone industriale, duke goditur një kompani të naftës.

Beshear tha se shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme do të ndihmojë në përgjigjen e shtetit për aksidentin, duke lejuar që në vendngjarje të dërgohen “më shpejt burime”.

Avioni i mallrave i llojit MD-11, i prodhuar para 34 vjetësh u përfshi nga flakët dhe hetuesit nga Bordi Kombëtar amerikan për Sigurinë e Transportit pritet që të japin detaje pse ndodhi ky aksident.

Fluturakja, sipas kompanisë UPS, kishte tre anëtarë të ekuipazhit dhe sipas zyrtarëve amerikanë asnjëri nga ta nuk i mbijetoi aksidentit.

Rreth 200 zjarrfikës dhe personel të emergjencës, si dhe 50 kamionë, u thirrën të martën për të luftuar flakët e shkaktuara nga rrëzimi i avionit. Megjithatë, guvernatori Beshear tha se një qendër e konventave që ndodhet afër, një restorant dhe një fabrikë e Ford Motor Co nuk janë prekur nga zjarri.

Zyrtarët thanë se 11 persona u dërguan nëpër spitale të martën, ndërsa një zyrtar qeveritar i tha agjencisë Reuters se të paktën 10 persona të tjerë konsiderohen të zhdukur. Beshear tha se dy persona janë në gjendje kritike.

Aeroporti ndërkombëtar i Luisvillit u rihap për trafik ajror të mërkurën, megjithatë pista ku ndodhi aksidenti pritet të mbetet e mbyllur për edhe 10 ditë, sipas zyrtarëve.

UPS tha se ka ndaluar disa operacione pas kësaj ngjarjeje.

Prodhimi i avionit MD-11 u ndal në vitin 2000 dhe shërbimi për pasagjerë zyrtarisht përfundoi më 2014. Për operacionet për transportin e mallrave, rreth 50 avionë MD-11 operohen nga FedEx dhe UPS në mbarë botën, ndërkaq edhe dy avionë të tjerë të këtij lloji vazhdojnë të përdoren.

GE Aerospace, që prodhon motorët e avionit, tha se ka ofruar mbështetje për UPS dhe për autoritetet amerikane.

Fluturakja me tre motorë ishte mbushur me karburant që do t’i zgjaste për fluturimin e planifikuar prej tetë orësh e gjysmë për në Honolulu.

Ky ishte avioni i parë i mallrave i UPS-it që është rrëzuar që nga gushti i vitit 2013, kur një avion Airbus u përplas teksa po tentonte të ateronte në aeroportin ndërkombëtar të Birmingham, Alabama, duke vrarë të gjithë anëtarët e ekuipazhit./REL

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion