Roja bregdetare italiane: Nëntë të vdekur nga fundosja e anijes në Mesdhe

Bota

Roja bregdetare italiane: Nëntë të vdekur nga fundosja e anijes
Nëntë persona, përfshirë një foshnje, vdiqën kur anija e tyre u fundos ndërkohë që po përpiqeshin të kalonin Detin Mesdhe gjatë një stuhie. Fati i 15 personave të tjerë ende nuk dihet, sipas njoftimit të rojes bregdetare italiane të enjten.

Autoritetet e Maltës kërkuan ndihmën e Italisë të mërkurën pas fundosjes së anijes rreth 50 kilometra në juglindje të ishullit të Lampedusës.

Roja bregdetare italiane njoftoi se ka dërguar një ekip të saj tek vendi i ngjarjes, duke “shpëtuar 22 të mbijetuar dhe gjetur trupat e 9 personave, përfshirë atë të një foshnjeje.”

Operacioni i shpëtimit “ishte i vështirë për shkak të motit të keq dhe kushteve të rënda në këtë zonë, me dallgë që arrinin lartësinë deri në 2.5 metra,” sipas njoftimit të rojes bregdetare.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Përkatësia kombëtare e personave në anije nuk dihet ende, por ishulli Lampedusa, që shtrihet në Mesdhe midis Tunizisë, Maltës dhe ishullit italian të Sicilisë, është porti i parë për shumë migrantë që synojnë të shkojnë në vendet e Bashkimit Evropian.

“Fundosje e tmerrshme e anijes në afërsi të Lampedusës gjatë një misioni shpëtimi,” shkroi në rrjetin social X zëdhënësi i UNHCR-së Filippo Ungaro të mërkurën mbrëma. Të mbijetuarit, u dërguan në Lampedusa, “me hipotermi dhe të tronditur,” shtoi ai.

Një aeroplan i rojës bregdetare italiane po vëzhgon zonën përreth anijes së fundosur për persona të tjerë, fati i të cilëve nuk dihet.

Në një operacion tjetër, roja bregdetare njoftoi se ka shpëtuar 37 migrantë “të cilët ishin në mëshirën e dallgëve të detit në një varkë të vogël druri rreth 7 metra e gjatë” në afërsi të bregjeve të Lampedusës të mërkurën./Voa/

ME TE LEXUARAT