Qëndroi 6 ditë nën rrënoja, shpëtohet gjallë 3-vjeçari pas tërmetit në Venezuelë

Bota

Qëndroi 6 ditë nën rrënoja, shpëtohet gjallë

Një djalë 3-vjeçar është nxjerrë i gjallë nga rrënojat gjashtë ditë pas tërmeteve shkatërruese që goditën Venezuelën, duke u kthyer në një simbol shprese mes tragjedisë.

Fëmija, i identifikuar si Klieber Morán, u shpëtua nga një ekip kërkim-shpëtimi nga Jordania në shtetin La Guaira, një nga zonat më të prekura nga lëkundjet sizmike. Pamjet e publikuara tregojnë momentin kur ekipet e shpëtimit brohorasin sapo 3-vjeçari nxirret nga rrënojat.

Sipas autoriteteve jordaneze, fëmija mori ndihmën e parë në vendngjarje dhe më pas u transportua në një spital në Karakas. Gjendja e tij shëndetësore raportohet e qëndrueshme. Shpëtimi i tij vjen jashtë periudhës kritike prej 72 orësh pas një tërmeti, kohë gjatë së cilës ekspertët thonë se mundësitë për të gjetur të mbijetuar janë më të larta.

Ndërkohë, bilanci i tërmeteve me magnitudë 7.2 dhe 7.5 ka shkuar në 1,943 viktima, mbi 10 mijë të plagosur dhe dhjetëra mijëra persona të zhdukur.

Sipas vlerësimeve paraprake të NASA-s, rreth 58,870 ndërtesa janë dëmtuar ose janë shkatërruar nga tërmetet.

OKB-ja ka paralajmëruar se dhjetëra mijëra njerëz kanë nevojë urgjente për ushqim, strehim dhe ndihmë humanitare. Agjencia e OKB-së për Refugjatët thekson se mungesat e ushqimit janë të përhapura, ndërsa shërbimet bazë dhe komunikimet në La Guaira mbeten të ndërprera.

Edhe Organizata Botërore e Shëndetësisë ka ngritur alarmin për rrezikun e shpërthimit të sëmundjeve infektive, për shkak të kushteve të vështira dhe mbulimit të ulët me vaksina.

Në zonat e prekura vijojnë operacionet e kërkim-shpëtimit me pjesëmarrjen e ekipeve ndërkombëtare nga disa vende, ndërsa ndihmat humanitare po mbërrijnë gradualisht për banorët e prekur.

 

 

 

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion