Presidenti Joe Biden i drejtohet vendit në fjalimin e lamtumirës, i uron suksese administratës Trump

Bota

Presidenti Joe Biden i drejtohet vendit në fjalimin e lamtumirës, i

Presidenti në largim i SHBA-së, Joe Biden pretendoi se një oligarki “e rrezikshme” po formohej në Amerikë, teksa ai mbajti fjalimin e tij të lamtumirës duke i dhënë fund karrierës në politikë.

“Sot, një oligarki po merr formë në Amerikë me pasuri, fuqi dhe ndikim ekstrem që kërcënon me të vërtetë gjithë demokracinë tonë, të drejtat dhe lirinë tonë themelore,” tha ai të mërkurën.

Duke folur nga Zyra Ovale, ai promovoi të dhënat e administratës së tij, duke iu referuar krijimit të vendeve të punës, shpenzimeve të infrastrukturës, kujdesit shëndetësor, duke e nxjerrë vendin nga pandemia dhe duke e bërë SHBA-në një vend më të sigurt.

Ai shtoi, megjithatë, se “do të duhet kohë për të ndjerë ndikimin e plotë të gjithçkaje që kemi bërë së bashku, por farat janë mbjellë, ato do të rriten dhe do të lulëzojnë për dekadat e ardhshme”.

Biden i uroi sukses të administratës së ardhshme të Donald Trump.

Ai gjithashtu foli edhe pë kompaninë e mediave sociale Meta, e cila ka njoftuar së fundmi se do të heqë kontrolluesit e pavarur të fakteve.

“Mediat sociale po heqin dorë nga kontrolli i fakteve. E vërteta mbytet nga gënjeshtra e thënë për pushtet dhe për përfitim,” tha Biden.

Duke mbyllur fjalimin e tij, Biden u bëri thirrje amerikanëve që të “qëndrojnë roje” të vendit të tyre.

Fjalimi i tij i lamtumirës erdhi në të njëjtën ditë kur u njoftua marrëveshja e armëpushimit midis Izraelit dhe Hamasit.

Biden tha se negociatat kishin qenë disa nga më të vështirat e karrierës së tij dhe mori meritën për ndihmën për arritjen e marrëveshjes.

Marrëveshja do të bëjë që një armëpushim të hyjë në fuqi më 19 janar, një ditë para se Trump të marrë detyrën. Presidenti i ardhshëm ka marrë gjithashtu meritën për marrëveshjen, duke thënë se ishte e mundur vetëm sepse ai fitoi zgjedhjet në nëntor.

ME TE LEXUARAT