“Plagët” e luftës, Greqia i kërkon Gjermanisë 287 miliardë euro për pasojat Luftës së Dytë Botërore

Bota

“Plagët” e luftës, Greqia i kërkon Gjermanisë

Udhëheqja shtetërore dhe politike e Greqisë ka risjellë në tryezën e bisedimeve  thirrjen e saj për negociata me Gjermaninë në lidhje me dëmshpërblimet për dëmet e shkaktuara gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Kërkesat e kahershme greke janë theksuar gjatë takimit të presidentes së vendit me homologun e saj gjerman të cilin e kishte ftuar për një vizitë treditore në Greqi.

“Dua të theksoj, bazuar në vendimin përkatës të Kuvendit të Greqisë në vitin 2019, rëndësinë e madhe të çështjes së reparacioneve të luftës dhe të Kredisë së Pushtimit e cila mbetet e jashtëzakonshme për popullin grek”, tha Katerina Sakellaropoulou-Presidentja e Greqisë.

Pretendimet e Greqisë, që i ka dërguar notë zyrtare Gjermanisë prej vitit 2019, kanë të bëjnë me kompensimin  dhe dëmshpërblimet për dëmet që pësoi vendi, viktimat dhe pasardhësit e tyre  gjatë Luftës së Dytë Botërore, me vlerë sipas Zyrës së Përgjithshme të Kontabilitetit të Greqisë prej 278,7 mld euro, si dhe  shlyerjen e të ashtuquajturës Kredi e pushtimit prej gati 10 mld eurosh, kthimin e veprave të artit dhe atyre arkeologjike të grabitura nga nazistët.

“Për sa i përket qëndrimit tonë ligjor për çështjen e dëmshpërblimeve, ai ndryshon, siç e dini, ne jemi të mendimit që ligjërisht kjo çështje konsiderohet e mbyllur, por ne mbetemi të përkushtuar ndaj përgjegjësisë sonë historike”, Frank-Walter Steinmeier, Presidenti i Gjermanisë.

Steinmeier përjashtoi mundësinë e negociatave të reja të dëmshpërblimeve edhe në takimin që pati me kryeministrin grek Mitsotakis kur ky i fundit theksoi se për Greqinë çështja e dëmshpërblimeve të luftës ishte ende shumë e “gjallë”.

Ndërsa Gjermania ka kërkuar falje për krimet e epokës naziste të kryera gjatë luftës, ajo vazhdimisht ka pohuar se nuk diskuton dëmshpërblimet dhe ka mohuar t’i ketë borxh diçka  Greqisë për Luftën e Dytë Botërore që kur i pagoi Athinës shumën prej 115 milionë markash gjermane në vitin 1960.

Presidenti Steinmeier mbërriti në Selanik, të martën pasdite dhe vizitoi kantierin e ndërtimit të Muzeut të Holokaustit të Greqisë, i shoqëruar nga presidentja greke Sakelaropoulou, ndërsa pas Athinës, ku vizitoi monumentin e Ushtarit të Panjohur dhe vendosi një kurorë lulesh në nderim të të rënëve të Greqisë , axhenda e tij përmban edhe vizitën e tij në fshatin Kantanos të Kretës , aty ku nazistët gjermanë vranë 180 vetë në vitin 1941.

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion