Panik në avion/ Dy pasagjerë përleshen me njëri - tjetrin, kërcënojnë ekuipazhin

Një incident është regjistruar në bordin e një fluturimi nga Melburni drejt Dohas, ku dy pasagjerë meshkuj u bënë agresivë dhe u desh të prangosen gjatë udhëtimit.
Sipas dëshmive të pasagjerëve, dy burrat nisën të silleshin në mënyrë të çrregullt dhe të lëviznin vazhdimisht në kabinë. Rreth gjashtë orë para uljes, situata u përshkallëzua në një përleshje, ndërsa ata dyshohet se kërcënuan dhe sulmuan fizikisht anëtarë të ekuipazhit.
Disa pasagjerë deklaruan se burrat pretendonin se kishin armë dhe bërtisnin se donin të lëndonin apo qëllonin njerëz. Sipas dëshmive, për neutralizimin e secilit prej tyre u deshën disa persona.
Ekuipazhi arriti t’i mbajë nën kontroll deri në uljen e avionit. Pas mbërritjes në Doha, dy burrat u arrestuan nga policia dhe iu dorëzuan autoriteteve vendase.
Qatar Airways konfirmoi se dy pasagjerë u përfshinë në një përleshje fizike në fluturimin VA7 nga Melburni në Doha, duke theksuar se siguria e pasagjerëve dhe ekuipazhit mbetet prioriteti kryesor i kompanisë.


