Panik në ajër, dy turistë britanikë tentojnë të hapin derën e avionit në fluturimet nga Turqia e Kroacia

Pasagjerët britanikë mbetën të frikësuar për jetën kur njëri prej tyre në gjendje të dehur dyshohet se u përpoq të hapte derën e avionit, duke e detyruar kapitenin të bënte një ulje emergjente në Sofje.
Fluturimi në fjalë ishte i mbushur me pushues që po ktheheshin në shtëpi nga destinacioni turistik i Bodrumit.
Video e shpërndarë në rrjetet sociale tregon burrin që pengohet dhe i bën rezistencë oficerëve të policisë bullgare, ndërsa pasagjerët e inatosur bërtasin në kor me thirrjen “idiot” përkundrejt tij.
Një skenë e ngjashme është regjistruar më 30 qershor edhe në një fluturim të Ryanair nga Kroacia, ku një pasagjer po britanik tenton të hapë derën e avionit përpara nisjes.
Ai shihet duke u bërtitur pasagjerëve të tjerë dhe ekuipazhit të kabinës në korridor, teksa avioni përgatitet të niset nga Aeroporti i Zadarit.
Në një seri videosh të shpërndara në TikTok, burri shihet duke ngritur grushtin drejt derës së avionit, ndërsa pasagjerët e tjerë dëgjohet të bërtasin ‘oh zot!’.
Ndërkohë, disa pasagjerë tregohen të guximshëm dhe e shtyjnë burrin problematik duke e hedhur në dysheme, para se forcat policore të Zadarit ta largojnë duke e tërhequr zvarrë përgjatë pistës.


