OKB miraton rezolutën për një hartë të re të botës, SHBA voton kundër

Bota

OKB miraton rezolutën për një hartë të re të

Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara ka votuar të premten për miratimin e një harte të re të botës, e cila pasqyron madhësinë reale relative të vendeve, pasi vendet afrikane i kërkuan OKB-së të korrigjojë një padrejtësi shekullore. Rezoluta “Korrigjoni Hartën”, e propozuar nga shtetet anëtare të Bashkimit Afrikan, si edhe nga Bahamasi, u miratua me 164 vota pro, 6 abstenime dhe vetëm Shtetet e Bashkuara votuan kundër.

Rezoluta synon të ofrojë një paraqitje “të barabartë” të rajoneve të globit, veçanërisht të Afrikës, duke argumentuar se shtrembërimet në hartën aktuale të botës kanë bërë që kontinenti të pësojë një “minimizim simbolik” në përfytyrimin kolektiv të njerëzve. Aktualisht, shumë prej hartave të botës bazohen në projeksionin e Mercator-it, të krijuar nga hartografi evropian Gerardus Mercator në vitin 1569.

Ai përdoret gjerësisht për navigim, pasi vijat veri-jug kanë drejtime të vërteta konstante në raport me ekuatorin. Megjithatë, shkalla është e shtrembëruar: vendet që ndodhen më larg ekuatorit paraqiten në mënyrë disproporcionale më të mëdha se ato që ndodhen më pranë tij. Për shembull, në projeksionin e Mercator-it, Groenlanda duket më e madhe se kontinenti i Amerikës së Jugut dhe paraqitet me përmasa të ngjashme me Afrikën.

Në realitet, Groenlanda është afërsisht sa Republika Demokratike e Kongos, ndërsa Afrika është 14 herë më e madhe se Groenlanda. Për këtë arsye, rezoluta propozon, si një “akt drejtësie njohëse dhe riparimi përkujtimor”, që projeksioni i Mercator-it të zëvendësohet me projeksionin Equal Earth, i cili paraqet më saktë sipërfaqet relative të rajoneve të botës.

Në projeksionin Equal Earth, i cili u prezantua në konferencën e Shoqatës së Informacionit Hartografik të Amerikës së Veriut në vitin 2018, Evropa duket më e vogël, Brazili zmadhohet ndjeshëm, ndërsa Groenlanda zvogëlohet në mënyrë dramatike. Afrika paraqitet shumë më e madhe në krahasim me rajonet e tjera.

Edhe Zelanda e Re ka shprehur pakënaqësi ndaj hartës së Merkatorit. Në një reklamë turistike të vitit 2018, ku shfaqej kryeministrja e atëhershme Jacinda Ardern, bëhej shaka se “Zelanda e Re po zhduket nga hartat e botës” për shkak të pozicionit të saj në këndin e poshtëm djathtas.

Harta Equal Earth e trajton edhe këtë çështje, duke ardhur në forma të ndryshme, përfshirë një variant që vendos Oqeaninë në qendër, në vend të Greenwich-it në Londër. Greenwich-i është përdorur prej kohësh si standard për kohën botërore dhe si pikë referimi gjeografike globale. Platformat dixhitale të hartave, si Google Maps, aktualisht përdorin gjithashtu një version të projeksionit të Mercator-it.

ME TE LEXUARAT