Nisi era e re në Norvegji/ Haakon VIII merr fronin mbretëror pas ndarjes nga jeta të babait të tij

Haakon VIII, 53 vjeç, është mbreti i ri i Norvegjisë pas ndarjes nga jeta të babait të tij, Harald V. Ai ka qenë prej vitesh i përgatitur për të marrë fronin dhe në periudha të ndryshme ka zëvendësuar të atin si regjent, veçanërisht kur shëndeti i mbretit ishte përkeqësuar.
Me ngjitjen e tij në fron, vajza e madhe, Ingrid Alexandra, bëhet Princeshë e Kurorës dhe trashëgimtare e fronit.
Haakon është fëmija i dytë i Harald V dhe Mbretëreshës Sonja, por u bë trashëgimtar i fronit pas vdekjes së gjyshit të tij, Mbretit Olav V, në vitin 1991. Edhe pse kishte një motër më të madhe, Märtha Louise, në atë kohë rregullat e trashëgimisë favorizonin pasardhësit meshkuj.
Kushtetuta norvegjeze u ndryshua në vitin 1990 për t’u dhënë përparësi fëmijëve të parë, pavarësisht gjinisë, por ndryshimi nuk u zbatua në mënyrë retroaktive.
Mbreti i ri ka një formim akademik dhe ushtarak. Ai ka studiuar shkenca politike në Universitetin e Kalifornisë në Berkeley dhe ka përfunduar një master në studimet e zhvillimit në London School of Economics, me fokus në tregtinë ndërkombëtare dhe Afrikën.
Në vitin 1995 u diplomua edhe në Akademinë Mbretërore Norvegjeze të Marinës dhe ndoqi programin e trajnimit për diplomatët në Ministrinë e Jashtme.
Jashtë detyrave mbretërore, Haakon njihet për pasionin ndaj sportit. Ai është veçanërisht i apasionuar pas sërfit, skive dhe aktiviteteve në natyrë.
Në një intervistë për transmetuesin norvegjez NRK, ai ka thënë se, nëse nuk do të ishte pjesë e familjes mbretërore, do të kishte dashur të bëhej surfist. Ai gjithashtu është i apasionuar pas muzikës, veçanërisht rock-ut dhe rap-it.
Haakon u martua me Mette-Marit Tjessem Høiby në gusht të vitit 2001, pas një lidhjeje që në atë kohë shkaktoi debate në Norvegji. Mette-Marit ishte nënë beqare dhe vinte nga një jetë larg traditave aristokratike.
Çifti ka dy fëmijë, Princeshën Ingrid Alexandra dhe Princin Sverre Magnus, ndërsa Haakon është edhe njerku i djalit të Mette-Marit, Marius Borg Høiby.
Tashmë, si mbret, Haakon përballet me detyrën për të ruajtur lidhjen e familjes mbretërore me publikun dhe për të forcuar mbështetjen ndaj monarkisë. Pavarësisht se institucioni gëzon ende mbështetje nga shumica e norvegjezëve, popullariteti i tij ka rënë vitet e fundit.
Përvoja e gjatë si trashëgimtar dhe regjent pritet ta ndihmojë Haakonin në kalimin nga roli i princit në atë të mbretit të Norvegjisë.
Një nga sfidat kryesore të mbretit të ri do të jetë rikthimi i besimit dhe mbështetjes publike për monarkinë.
Familja mbretërore është përballur së fundmi me një sërë polemikash, veçanërisht pas dënimit të djalit të bashkëshortes së Haakonit, Marius Borg Høiby, me katër vite burg për përdhunim dhe vepra të tjera penale. Avokatët e tij kanë deklaruar se ai do të apelojë vendimin.
Reputacioni i familjes është vënë në pikëpyetje edhe pas publikimit të informacioneve mbi kontaktet e së shoqes së Haakonit, Mette-Marit, me Jeffrey Epstein. Ajo ka kërkuar falje publikisht për marrëdhënien me financierin e ndjerë dhe ka thënë se kishte treguar gjykim të dobët.
Mette-Marit nuk është akuzuar për ndonjë shkelje ligjore dhe ka deklaruar se ishte manipuluar dhe mashtruar nga Epstein.


