“Ne nuk kemi nisur akoma”, Irani këmbëngul: Armëpushimin e shkeli SHBA-ja

Bota

“Ne nuk kemi nisur akoma”, Irani këmbëngul:

Kreu i parlamentit iranian ia hodhi fajin Shteteve të Bashkuara për tensionet e reja në rajon.

Mohammad Bagher Ghalibaf u shpreh se ishte pikërisht SHBA dhe aleatët e saj që rrezikuan transportin e sigurt të anijeve dhe energjisë “përmes shkeljes së armëpushimit dhe vendosjes së një bllokade” në Gjirin e Hormuzit.

“Në një gjë e dimë shumë mirë: vazhdimi i status quo-së është i papranueshëm për Amerikën; e ndërkohë ne nuk kemi filluar akoma,” u shpreh Ghalibaf, i cili ka udhëhequr negociatat për palën iraniane dhe është kthyer në zërin më të fuqishëm sot të regjimit në Teheran. Komentet e tij vijnë në një kohë kur armëpushimi i pasigurt po vihet më shumë në provë nga të dyja palët që shkëmbyen goditje një ditë më parë në ngushticën e Hormuzit.

Presidenti Donald Trump nuk pranon të thotë nëse armëpushimi midis SHBA-së dhe Iranit mbetet në fuqi, por paralajmëroi forcat iraniane se do të “fshihen nga faqja e Tokës” nëse do të shënjestronin anijet amerikane në zonë.

Sipas krerëve ushtarakë amerikanë në Lindjen e Mesme, dita e parë e Projektit “Liria”, që është plani i ushtrisë amerikane për të rifilluar lëvizjen e anijeve përmes Ngushticës së Hormuzit, ishte një sukses. Por analistët e pavarur janë më të kujdesshëm. Ata theksojnë se vetëm dy anije me flamur amerikan kaluan nëpër ngushticë nën mbrojtjen e SHBA-së dhe se zgjerimi i operacionit me objektiv rikthimin e trafikut të përpara-luftës prej 120 anijesh në ditë duket i vështirë, veçanërisht nëse Irani nuk bashkëpunon.

Admirali Brad Cooper, kreu i Komandës Qendrore të SHBA-së, u tha gazetarëve gjatë një konference telefonike se SHBA përdori një forcë të kombinuar destrojerësh, helikopterësh, avionësh luftarakë, dronësh dhe mjetesh të tjera për të mbrojtur lëvizjen e dy anijeve amerikane përmes ngushticës. Raketat iraniane që u nisën drejt Marinës amerikane dhe dy anijeve tregtare u goditën, dhe helikopterët amerikanë fundosën gjashtë anije të vogla iraniane që tentuan të sulmonin anijet tregtare, tha admirali amerikan.

Por Tim Huxley, drejtues i kompanisë Mandarin Shipping, tha për CNN se kalimi në Hormuz mbetet jashtëzakonisht i rrezikshëm, dhe pret që shumica e anijeve të vazhdojnë ta shmangin lundrimin atje deri sa të dyja palët të arrijnë diçka më konkrete.

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion