Putin urdhëron armëpushim tre ditor në Kiev, konfirmohet takimi me të dërguarit e Trump

Steve Witkoff dhe Jared Kushner, të dërguarit e posaçëm të Presidentit amerikan Donald Trump, kanë mbërritur në Moskë me një axhendë të rëndësishme diplomacie për të negociuar një zgjidhje paqeje në Ukrainë. Të pritshëm nga emisari special rus Kirill Dmitriev, diplomatët amerikanë synojnë të zhvillojnë bisedime të nivelit të lartë në Rusi përpara se të udhëtojnë drejt Kievit.
Në kuadër të mbërritjes së emisarëve të Uashingtonit, presidenti rus Vladimir Putin ka urdhëruar pezullimin e të gjitha sulmeve ushtarake ndaj territorit të Ukrainës për 3 ditët në vijim. Takimet e Witkoff dhe Kushner parashikojnë bisedime të drejtpërdrejta me Vladimir Putin në Moskë dhe më pas udhëtimin drejt Kievit për t’u takuar me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky.
Presidenti Trump konfirmoi nisjen e këtij misioni, duke u shprehur optimist për mundësinë e një arritjeje diplomatike:
“Dërgova Steve Witkoff dhe Jared Kushner, dy negociatorë të shkëlqyer, për të parë nëse mund të arrijmë diçka. Mund të jetë një shans i mirë. Ata po marrin me vete një propozim për t’i dhënë fund luftës. Ne kemi një ide për paqen,” u shpreh Trump.
Pavarësisht lëvizjeve, lëshimet territoriale mbeten pengesa kryesore, ndërsa ekzistojnë dyshime nëse lideri rus do të pranojë një armëpushim përgjatë vijave aktuale të frontit.
Përpjekjet për paqe vijnë në një moment delikat, ku tratativat ishin pezulluar për shkak të përplasjeve të Uashingtonit me Iranin dhe intensifikimit të sulmeve me rreze të gjatë mes Rusisë e Ukrainës, të cilat rritën numrin e viktimave civile.
Në prapaskenë të këtyre negociatave, drejtori i CIA-s, John Ratcliffe, zhvilloi një vizitë në Moskë në fund të gushtit për t’u bërë presion zyrtarëve rusë drejt një marrëveshjeje. Sipas raporteve mediatike, gjatë kësaj vizite Ratcliffe i përcolli gjithashtu Moskës një paralajmërim të prerë kundër çdo sulmi apo provokimi ndaj shteteve anëtare të NATO-s.


