Ministri i Shëndetësisë: 75% e të infektuarve me Covid në Turqi janë me variantin britanik

Situata e Covid-19 në Turqi nuk paraqitet aspak e mirë, ndërsa mësohet se në këtë vend mbizotëron varianti britanik i virusit. Lajmin e bëri me dije ministri i Shëndetësisë, Fahrettin Koca, i cili gjatë një konferencë për mediat, ka treguar se 75% të të gjitha rasteve në vend janë me variantin britanik.
Ndërkohë që shifrat e publikuara nga autoritetet përkatëse, Turqia deri më tani ka regjistruar 180,448 raste me variantin e Mbretërisë së Bashkuar në 81 provinca dhe 169 të llojeve të Afrikës së Jugut në 11 provinca.

Mediat turke shkruajnë se një ditë më parë, Turqia raportoi pothuajse 40,000 raste të reja me koronavirus. Një total prej 39,302 rastesh, përfshirë 1,401 pacientë simptomatikë, u konfirmuan në të gjithë vendin në 24 orët e fundit. Numri i përgjithshëm i rasteve në Turqi është tani mbi 3.3 milionë, ndërsa numri i të vdekurve në të gjithë vendin ka arritur në 31,537 me 152 viktima më shumë gjatë ditës së kaluar.


