“Meta” çmonton rrjetin e llogarive të rreme; si synoheshin amerikanët me propagandë politike të krijuar me AI

Bota

“Meta” çmonton rrjetin e llogarive të rreme; si

Një rrjet llogarish në Facebook dhe Instagram, i lidhur me një operacion me bazë në Iran, që përdorte inteligjencën artificiale për të synuar audiencën amerikane me postime mbi zhvillimet politike në SHBA, është hequr nga Meta.

Sipas të dhënave të publikuara nga kompania, operacioni kishte arritur të tërhiqte mijëra ndjekës. Në rrjet përfshiheshin edhe llogari që paraqiteshin si qytetarë të zakonshëm amerikanë, me qëllim që përmbajtja e publikuar të dukej më autentike.

Në kuadër të një raporti më të gjerë mbi kërcënimet online, Meta njoftoi se kishte çmontuar një rrjet të përbërë nga 4 llogari në Facebook dhe 31 llogari në Instagram, të lidhura me persona që vepronin nga Irani.

Përmes këtyre llogarive, administratorët publikonin, ndër të tjera, meme me mesazhe kundër republikanëve, si dhe përmbajtje lidhur me konfliktin izraelito-palestinez dhe çështjen e emigracionit, bëri të ditur Meta.

Kompania deklaroi gjithashtu se administratorët kishin përdorur mjete të inteligjencës artificiale për krijimin e një pjese të materialeve të publikuara, përfshirë edhe memet.

Një zëdhënës i Metës deklaroi për mediat se kompania kishte ndarë me autoritetet amerikane të zbatimit të ligjit informacion lidhur me këtë operacion.

Gjatë fushatës, administratorët e rrjetit paraqiteshin gjithashtu si persona që jetonin në Shtetet e Bashkuara, mes tyre aktivistë, studentë dhe grafikë.

Llogaritë pretendonin se përdoruesit e tyre jetonin në qytete të mëdha amerikane, si Uashingtoni, San Diego dhe Atlanta.

Administratorët etiketonin gazetarë dhe politikanë realë në postimet e tyre, ndërsa u dërgonin edhe mesazhe private figurave të njohura politike dhe mediave, duke synuar të krijonin bashkëpunime për prodhimin e përmbajtjes.

Megjithatë, sipas një zëdhënësi të Metës, asnjë prej këtyre përpjekjeve për bashkëpunim nuk rezultoi e suksesshme.

Vëmendje të veçantë tërheq madhësia e audiencës që arriti të grumbullojë rrjeti. Sipas të dhënave të kompanisë, rreth 79,400 llogari ndiqnin një ose më shumë prej llogarive të rreme në Instagram që publikonin meme.

Përmbajtja e krijuar me inteligjencë artificiale është shndërruar tashmë në një mjet të zakonshëm të operacioneve të ndikimit në internet. Meta deklaron se zbulon përdorimin e kësaj teknologjie pothuajse në çdo rrjet ndikimi që identifikon dhe çmonton.

Edhe pse taktikat e përdorura në këtë operacion me lidhje me Iranin nuk konsiderohen veçanërisht novatore, ajo që bie në sy është shkalla e ndërveprimit që rrjeti arriti të gjenerojë, si dhe numri i ndjekësve që grumbulloi.

Një zëdhënës i kompanisë tha se rrjeti kishte arritur të siguronte një ndërveprim “të konsiderueshëm, por të kufizuar” me përdoruesit. Sipas kompanisë, në përgjithësi, fushatat e ndikimit të mbështetura nga aktorë shtetërorë kanë një shtrirje të ulët dhe ndërveprim të kufizuar me përdoruesit.

Si u përpoqën të fshihnin gjurmët

Personat që qëndronin pas rrjetit kishin marrë masa për ta bërë më të vështirë identifikimin e origjinës së vërtetë të operacionit.

Sipas Metës, i gjithë trafiku i tyre online drejtohej ekskluzivisht përmes shërbimeve proxy dhe hostimit në Shtetet e Bashkuara dhe Kanada.

Në këtë mënyrë, bëhej më e vështirë të përcaktohej se aktiviteti i llogarive vinte në të vërtetë nga Irani.

Meta po investon tashmë në teknologjitë e inteligjencës artificiale për të identifikuar më shpejt sjelljet që lidhen me llogari joautentike dhe për t’i hequr ato nga platformat e saj në një kohë më të shkurtër.

ME TE LEXUARAT