Mbi 2 tonë kokainë sekuestrohen në Atlantik, mes të arrestuarve dhe një shqiptar

Një operacion i autoriteteve spanjolle ka çuar në sekuestrimin e më shumë se 2 tonëve kokainë, pas ndalimit të një anijeje me vela në ujërat e Atlantikut.
Në kuadër të aksionit janë arrestuar 4 persona, pjesë e ekuipazhit të velierës. Mes të ndaluarve raportohet se ndodhet edhe një shtetas shqiptar, ndërsa të paktën dy prej të arrestuarve janë me origjinë nga Amerika e Jugut.
Operacioni është zhvilluar nga Shërbimi i Mbikëqyrjes Doganore të Spanjës, i cili e konsideron sekuestrimin ndër goditjet më të rëndësishme ndaj trafikut të kokainës gjatë vitit të fundit.
Hetimi dyshohet se ka nisur në Katalonjë, ku autoritetet kanë mbledhur informacionet e para mbi aktivitetin e dyshuar kriminal. Pas hetimeve, agjentët kanë arritur të lokalizojnë velierën në Atlantik dhe më pas kanë ndërhyrë për ta ndaluar.
Deri tani, autoritetet spanjolle nuk kanë bërë publike të gjitha detajet e operacionit, përfshirë rrugën e saktë të anijes, destinacionin e ngarkesës apo origjinën e kokainës.
Ky është rasti i dytë gjatë kësaj vere ku një velierë e dyshuar për trafik droge është kapur nga anija “Petrel”. Në muajin qershor, në një operacion ndërkombëtar ku morën pjesë edhe autoritete franceze, DEA, Agjencia Kombëtare e Krimit e Mbretërisë së Bashkuar dhe Frontex, u sekuestruan rreth 500 kilogramë kokainë nga një tjetër velierë pranë Ishujve Kanarie.


