Pas padisë nga presidenti Trump, ish-ekzekutivi i “Google” zgjidhet drejtori i ri i BBC-së! (FOTO)

Bota

Pas padisë nga presidenti Trump, ish-ekzekutivi i “Google”

Matt Brittin, ish-drejtues i Google, është konfirmuar si drejtori i ri i përgjithshëm i BBC-së.

Ish-presidenti i operacioneve të Google për Evropën, Lindjen e Mesme dhe Afrikën do të zëvendësojë Tim Davey, i cili dha dorëheqjen në nëntorin e kaluar pas stuhisë së reagimeve të shkaktuara nga një fjalim i presidentit amerikan Donald Trump dhe nga mënyra se si ai u trajtua nga mediat britanike.

Kryetari i BBC-së, Samir Shah, tha se Brittin, i cili u largua nga Google në vitin 2025 pas 18 vitesh, “sjell në BBC një përvojë të thellë në drejtimin e një organizate me profil të lartë dhe shumë komplekse”.

Brittin, 57 vjeç, vuri në dukje se “pret me padurim të fillojë këtë detyrë të re”, duke e përshkruar atë si “një moment me rrezik të vërtetë, por edhe me mundësi të vërteta”.

Ai shtoi më tej: “Tani më shumë se kurrë, kemi nevojë për një BBC të fuqishme që punon për të gjithë në një botë komplekse, të pasigurt dhe që ndryshon me shpejtësi. Në formën e saj më të mirë, ajo na tregon neve dhe botës se kush jemi.”

“Është një pasuri e jashtëzakonshme, unikisht britanike, me mbi 100 vite inovacion në rrëfim, teknologji dhe në promovimin e kreativitetit. Jam i entuziazmuar dhe i nderuar që më është besuar roli i Drejtorit të Përgjithshëm të BBC-së.”

“BBC ka nevojë për ritmin dhe energjinë e duhur për të qenë aty ku ndodhen lajmet dhe ku ndodhet publiku, për të forcuar shtrirjen e saj, besimin që gëzon sot dhe pikat e saj të forta krijuese, për t’u përballur me sfidat me guxim dhe për të lulëzuar si një shërbim publik i përshtatshëm për të ardhmen.”

Pas padisë nga presidenti Trump, ish-ekzekutivi i “Google”

Kush është Matt Brittin?

I lindur në Walton-on-Thames, në Surrey, Brittin u diplomua në Universitetin e Cambridge, duke u angazhuar njëkohësisht në kanotazh në nivel garues. Ai gjithashtu përfaqësoi Britaninë e Madhe, duke fituar një medalje bronzi në Kampionatet Botërore të Kanotazhit në vitin 1989.

Pas largimit nga Cambridge, Brittin përfundoi një master në London Business School dhe më pas u bë drejtor komercial si dhe drejtor i strategjisë dhe shërbimeve digjitale në Trinity Mirror.

Ai iu bashkua Google në vitin 2007; dy vjet më vonë mori rolin e drejtorit të operacioneve në Mbretërinë e Bashkuar dhe në vitin 2011 u promovua në zëvendëspresident për Evropën veriore dhe qendrore.

Në vitin 2014 u bë president i Google për Evropën, Lindjen e Mesme dhe Afrikën.

Pas largimit nga Google vitin e kaluar, ai mori atë që e quajti “një pushim të shkurtër”.

Duke folur për kohën e lirë, ai tha në LinkedIn: “Tashmë kam lënë mjekër, kam blerë një varkë për ski në ujë dhe kam ndërmend t’i mësoj djalit tim zhytjen nënujore kur të bëhet instruktor i kualifikuar”.

Vitin e kaluar ai u bë gjithashtu anëtar jo-ekzekutiv i bordit të Guardian Media Group.

Në janar 2026, iu dha titulli CBE (Komandant i Urdhrit të Perandorisë Britanike) në kuadër të nderimeve mbretërore të Vitit të Ri për kontributin e tij në teknologji dhe aftësitë digjitale.

Sa i përket marrëdhënies së tij me televizionin, vitin e kaluar ai deklaroi në Royal Television Society:
“Përvoja ime me televizionin dhe ajo që kam mësuar prej tij dhe vlerave të tij më kanë formuar më shumë se shumë gjëra të tjera në jetën time.”/Lajmi i Fundit

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion