“Lufta me Iranin mund të kthehet në një konflikt pa fund”, ish-shefi i Pentagonit: Trump është futur në kurth!

Ish-sekretari amerikan i Mbrojtjes dhe ish-drejtori i CIA-s, Leon Panetta, paralajmëron se lufta mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit ka shumë gjasa të zgjasë edhe të paktën gjashtë muaj të tjerë.
Në një intervistë për The Guardian, Panetta tha se konflikti i nisur nga presidenti Donald Trump më shumë se gjashtë muaj më parë ka hyrë në një ngërç, nga i cili asnjëra palë nuk duket se ka një rrugë të qartë daljeje.
“Nuk është sekret që Shtetet e Bashkuara dhe Irani janë bllokuar në një ngërç të tmerrshëm, ku ka shumë pak mundësi për t’i dhënë fund kësaj lufte Mendoj se ka shumë gjasa që kjo luftë të vazhdojë edhe gjashtë muaj të tjerë pa u zgjidhur”, u shpreh ai
Sipas Panettës, ushtarët amerikanë po dërgohen në luftë në një moment kur në Pentagon ka trazira në strukturën drejtuese.
“Ushtarët tanë po shkojnë në luftë në një kohë kur në Pentagon ka trazira të mëdha në zinxhirin komandues, gjë që krijon ndjesinë se askush nuk është në krye. Shqetësimi im më i madh është se jetojmë në një botë shumë të rrezikshme. Kërcënimet kryesore vijnë nga Kina, Rusia, Koreja e Veriut, terrorizmi dhe po, edhe nga Irani. Ajo që më shqetëson është se po u dërgojmë kundërshtarëve tanë një mesazh dobësie. Ndërsa ata vazhdojnë të bashkëpunojnë me njëri-tjetrin, e shohin SHBA-në si të dobët. Ky është një mesazh shumë i rrezikshëm”, deklaroi ish-shefi i Pentagonit.
Panetta rikujtoi se që në muajin mars kishte paralajmëruar se Trump ishte i bllokuar mes dy zgjedhjeve të vështira: të zgjeronte luftën për të eliminuar ndikimin e Iranit mbi Ngushticën e Hormuzit ose të tërhiqej duke shpallur fitore, edhe pse konflikti nuk do të ishte zgjidhur.
Sipas tij, presidenti amerikan ndodhet ende në të njëjtën pozitë.
“Ai e ka futur veten në një kurth”, tha Panetta.


