Kryeministri britanik: Evropa duhet të marrë përsipër barrën kryesore në Ukrainë

Bota

Kryeministri britanik: Evropa duhet të marrë përsipër

Kryeministri britanik, Keir Starmer, tha se Evropa duhet të marrë përsipër barrën kryesore në sigurimin e paqes në Ukrainë, teksa la të kuptohet se disa shtete janë të gatshme të ndihmojnë që të mbrohet një marrëveshje e mundshme e paqes.

Udhëheqësi britanik sërish bëri thirrje për mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për të parandaluar presidentin rus, Vladimir Putin, që të shkelë ndonjë marrëveshje të mundshme armëpushimi. Këto deklarata ai i bëri pasi mirëpriti dhjetëra udhëheqës evropianë dhe zyrtarë të NATO-s në Londër.

Ky samit u mbajt dy ditë pas një përplasjeje të presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, me presidentin amerikan, Donald Trump, në Shtëpinë e Bardhë.

“Evropa duhet të marrë përsipër barrën kryesore, por për të mbështetur paqen në kontinentin tonë dhe që të kemi sukses kjo përpjekje duhet të ketë mbështetje të fuqishme nga SHBA-ja”, tha Starmer pas takimit.

Kryeministri britanik dhe presidenti francez, Emmanuel Macron, kanë thënë se janë të gatshëm që të dislokojnë trupa në Ukrainë për të ndihmuar në ruajtjen e paqes në rast se nënshkruhet një marrëveshje për t’i dhënë fund luftës që nisi më 2022.

Dy zyrtarët po udhëheqin përpjekjen për të formuar një grup të shteteve që do të kontribuonin në forma të ndryshme për këtë çështje dhe Starmer iu referua këtij grupi si “koalicioni i të gatshmëve”.

“Një numër shtetesh lanë të kuptohet sot se duan të jenë pjesë e planit që ne po zhvillojmë”, tha Starmer, i cili nuk përmendi emra të këtyre shteteve.

Starmer tha se shtetet që kanë shprehur gatishmëri “do të intensifikojnë planifikimin me urgjencë”.

“Jo të gjitha shtetet ndihen se janë në gjendje të kontribuojnë, por kjo nuk do të thotë që ne të qëndrojmë duarkryq”, tha ai.

Starmer tha se bota gjendet në një udhëkryq dhe është momenti për të vepruar.

“Ky nuk është momenti për më shumë bisedime. Është koha për të vepruar. Koha për t’u ngritur dhe për të udhëhequr dhe për t’u bashkuar rreth një plani të ri për një paqe të drejtë e të qëndrueshme”.

Presidenti amerikan, Donald Trump, ende nuk është zotuar se do të ofrojë garanci të sigurisë, por Starmer shtoi se diskutimet po bëhen në bazë të asaj “që do të ketë mbështetje të SHBA-së”.

“Nuk do të ecja në këtë rrugë nëse nuk do të mendoja se nuk do të prodhonte rezultate pozitive në drejtim të sigurimit që të ecim së bashku, Ukraina, Evropa, Mbretëria e Bashkuar dhe SHBA-ja”, shtoi ai.

Por, kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, duket se e ka minimizuar mundësinë që Italia të kontribuojë në një mision paqeruajtës, duke thënë se “prania e trupave italiane në Ukrainë në këtë fazë nuk ka qenë asnjëherë në agjendë”.

Para samitit në Londër, Starmer tha se shteti i tij, Franca dhe Ukraina po punojnë për një plan armëpushimi që më pas t’ia dërgojnë Shteteve të Bashkuara.

ME TE LEXUARAT