Kongresi Amerikan! Trump mban fjalimin rekord, shpall “rikthimin e madh” të SHBA-ve: Kjo është epoka jonë e artë

Bota

Kongresi Amerikan! Trump mban fjalimin rekord, shpall “rikthimin e

Me fokus te ekonomia, emigracioni dhe politika e jashtme, presidenti amerikan Donald Trump paraqiti në fjalimin e tij për Gjendjen e Bashkimit një narrativë të “rikthimit të fortë” të Shteteve të Bashkuara. Në një fjalim që zgjati 1 orë e 48 minuta, ai deklaroi se “vendi ynë është rikthyer”, duke theksuar se kufijtë janë “më të sigurtit në histori” dhe se ekonomia po përjeton një kthesë të fuqishme. Rikthmin ai e quajti “epoka e artë” e Amerikës, duke theksuar se vendi “nuk do të kthehet pas”.

Trump pretendoi se gjatë vitit të fundit administrata e tij ka ulur inflacionin bazë në nivelin më të ulët të pesë viteve të fundit, ndërsa bursa ka shënuar dhjetëra rekorde të reja pas zgjedhjeve. Ai akuzoi administratën e mëparshme të Joe Biden se i la vendit një situatë të vështirë ekonomike dhe “inflacionin më të keq në histori”, duke shtuar se qeveria e tij ka tërhequr mbi 18 trilionë dollarë investime në vitin e parë.

Çështja e emigracionit zuri vend qendror në fjalim. Presidenti tha se pas katër vitesh hyrjesh të pakontrolluara, kufijtë amerikanë janë tashmë më të fortë se kurrë dhe se trafiku i fentanilit është ulur ndjeshëm. Ai theksoi se SHBA do të lejojë hyrjen ligjore për ata që “vijnë për të punuar dhe për të mbështetur vendin”.

Në politikën e jashtme, Trump mbajti qëndrim të ashpër ndaj Iranit, duke deklaruar se nuk do të lejojë kurrë që Teherani të sigurojë armë bërthamore, duke preferuar diplomacinë, por pa përjashtuar përdorimin e forcës nëse është e nevojshme. Ai u ndal edhe te energjia, duke përsëritur thirrjen për rritjen e prodhimit vendas të naftës dhe duke përmendur zhvillimet në Venezuelë pas kapjes së presidentit Nicolás Maduro nga ushtria amerikane.

Një moment simbolik i mbrëmjes ishte paraqitja e ekipit amerikan të hokejit në akull, fitues i medaljes së artë në Lojërat Olimpike Dimërore, të cilët u pritën me duartrokitje dhe thirrje “USA, USA” në sallë.

Fjalimi i Donald Trump këtë vit vendosi një rekord (108 minuta), duke tejkaluar edhe rekordin e tij të vitit të kaluar, kur ai foli për një orë e 40 minuta.

Fjalimi i tij këtë vit ishte fjalimi më i gjatë për Gjendjen e Kombit në historinë e SHBA-së, duke tejkaluar rekordin e mëparshëm të mbajtur nga Bill Clinton, i cili foli për një orë e 29 minuta në vitin 2000.

Rekordi për fjalimin më të shkurtër për Gjendjen e Kombit i mbetet Richard Nixon, i cili foli për më pak se 30 minuta në vitin 1972.

ME TE LEXUARAT