Kërkuan ndryshim të masës së sigurisë, Gjykata e Lartë rrëzon rekursin e Berishës dhe Malltezit

Bota

Kërkuan ndryshim të masës së sigurisë, Gjykata e

Ish-kryeministri Sali Berisha dhe dhëndri i tij Jamarbër Malltezi, do të vazhdojnë të qëndrojnë nën masën e sigurisë "Arrest në shtëpi". Ata kanë bërë rekurs në të gjithë shkallët e drejtësisë dhe radha tashmë ishte në Gjykatën e Lartë, por vendimi nuk ka ndryshuar.

Lideri i Partisë Demokratike dhe dhëndri i tij, të akuzuar të dy për "aferën Partizani", do të qëndrojnë në shtëpi deri në përfundim të hetimeve.

Sipas Prokurorisë së Posaçme, Sali Berisha akuzohet se ka konsumuar veprën penale të “Korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim me Jamarbër Malltezi gjatë kohës që ishte kryeministër.

Ndërsa dhëndri i tij, akuzohet për veprat penale “Korrupsioni pasiv të funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendor” dhe “Pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”. Sipas akuzës, Malltezi ka përfituar 5.4 milionë euro apo rreth 7 miliardë lekë, me favorizimin e Berishës si kryeministër për pronat e ish-kompleksit Partizani.

Referuar dosjes së SPAK, nga ana e Sali Berishës në cilësinë e tij si Kryeministër, janë kryer veprime konkrete dhe aktive, në miratim ligjesh apo aktesh nënligjore, me qëllim përshtatjen e tyre sipas nevojave që paraqiteshin për pesë familjet e njohura pronare, ku fitues i drejtpërdrejtë ndër të tjerë, rezultonte të ishte bashkëshorti i vajzës së tij, Jamarbër Malltezi.

Po ashtu, Berisha si kryeministër ka kryer veprime aktive për kryerjen e kontrolleve administrative, me qëllimin e ushtrimit të presionit dhe dhënien e urdhërave konkrete, për konkludimin e procedurave të privatizimit, në favor ndër të tjerë, edhe bashkëshorti i vajzës së tij.

Sakaq, Malltezi në bashkëpunim me ndërtuesin Fatmir Bektashi, është paraqitur si investitor në punimet për ndërtimin e bllokut të banesave, ndërkohë që nuk rezulton të ketë investuar, duke kryer veprime financiare, transaksione të copëzuara, apo në cash, për të fshehur origjinën dhe marrë përfitimin monetar në shumën 672.976.832 lek ose 5 420 345 euro, (përfitim i paligjshëm) duke e paraqitur si e ardhur e ligjshme e siguruar nga investimi në veprimtari në ekonomike.

SPAK ka vënë në sekuestro preventive 25 pasuri të Malltezit, ndër të cilat edhe vilën në Gjirin e Lalëzit. Gjithashtu i janë sekuestruar edhe 6 llogari bankare si dhe aksionet në disa kompani.

ME TE LEXUARAT