Kaos në qendër të kryeqytetit ukrainas, përleshen dy shërbimet sekrete, pas rrëmbimit të komandantit të Korpusit Vullnetar

Një përleshje e armatosur mes dy prej shërbimeve kryesore të sigurisë së Ukrainës ka tronditur qendrën e Kievit, gjatë një operacioni që lidhej me hetimin e një komploti të dyshuar rus kundër një figure të opozitës ruse.
Incidenti përfshiu oficerë të Shërbimit të Sigurisë së Ukrainës (SBU) dhe pjesëtarë të Shërbimit të Inteligjencës Ushtarake (HUR), ndërsa në qendër të ngjarjes ishte Stepan Kaplunov, zëvendëskomandant i Korpusit Vullnetar Rus (RVC), një njësi që lufton në krah të Ukrainës kundër forcave ruse.
SBU kishte njoftuar se kishte parandaluar një sulm terrorist të dyshuar, të planifikuar nga shërbimi sekret rus FSB, ndaj Kaplunovit. Sipas një burimi në forcat ukrainase, objektivi i komplotit ishte pikërisht drejtuesi i RVC-së.
Kaplunov kishte mbërritur në Ukrainë për festimet e Ditës së Pavarësisë më 24 gusht, ndërsa më 1 shtator RVC njoftoi se ai ishte “rrëmbyer nga persona të panjohur në oborrin e shtëpisë së tij”.


