Juria e shpall fajtor, Donald Trump ish Presidenti i parë që dënohet për vepra penale

Bota
Juria e shpall fajtor, Donald Trump ish Presidenti i parë që

Donald Trump u bë ish-presidenti i parë që u dënua për vepra penale të enjten pasi një juri në Nju Jork e shpalli atë fajtor për falsifikimin e dokumenteve, si pjesë e një skeme për të ndikuar zgjedhjet e 2016, duke fshehur një pagesë ndaj një aktoreje të filmave pornografikë, e cila tha se kishte patur një marrëdhënie intime me ish-Presidentin, në këmbim të heshtjes së saj.

Juria, e cila u tërhoq për afro 10 orë për të dalë me vendim, e shpalli zotin Trump fajtor për 34 akuzat që ishin ngritur ndaj tij. Ndërsa lexohej vendimi, ai u duk i ftohtë dhe mbante sytë ulur.

Vendimi i fut Shtetet e Bashkuara në një terren të panjohur përpara zgjedhjeve presidenciale të 5 nëntorit, kur zoti Trump pritet të jetë kandidati i pritshëm republikan përballë presidentit demokrat Joe Biden, për drejtimin e Shtëpisë së Bardhë.

Zoti Trump, 77 vjeç, i ka mohuar akuzat dhe pritet ta apelojë vendimin.

Masa e dënimit për ish-Presidentin do të jepet në 11 korrik.

Falsifikimi i të dhënave të biznesit është një vepër penale për të cilën parashikohet një dënim me burg deri në 4 vjet, edhe pse prokurorët nuk janë shprehur nëse do të kërkojnë dënim me burg dhe është e paqartë nëse gjykatësi do të caktonte një masë të tillë edhe nëse i kërkohej. Dënimi, apo edhe burgimi, nuk e pengon zotin Trump të vazhdojë garën për Shtëpinë e Bardhë.

Prokurorët thonë se zoti Trump falsifikoi të dhënat për të fshehur rimbursimet për ish-avokatin e tij Michael Cohen, i cili i pati paguar aktores së filmave pornografikë Stormy Daniels 130 mijë dollarë në javët e fundit të fushatës elektorale të vitit 2016, që ajo të mos bënte publike pretendimet e saj për një marrëdhënie seksuale me zotin Trump të një dekade më parë.

Ish-presidenti dhe njëkohësisht kandidati i pritshëm për president i Partisë Republikane ka deklaruar pafajësinë, ka mohuar të ketë patur marrëdhënie seksuale me zonjën Daniels dhe thotë se pagesat për zotin Cohen u evidentuan siç duhet në regjistrat e kompanisë, si shpenzime ligjore.

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion