“Izraeli e ka përmbushur synimin”, Blinken kërkon armëpushim dhe lirim të pengjeve

Teksa Blinken i bëri këto komente gjatë turneut të tij në Lindjen e Mesme, një sulm izraelit në një shkollë, ku po strehoheshin njerëzit e zhvendosur në Gazën qendrore, i vrau së paku 17 njerëz, thanë zyrtarët mjekësorë palestinezë.
Rreth 42 të tjerë u plagosën në sulmin që goditi kampin e refugjatëve Nuseirat, sipas spitalit Awda, i cili i pranoi trupat e viktimave dhe të plagosurit. Në mesin e të vdekurve ishin edhe 13 fëmijë në moshën 18-vjeçare, dhe tri gra, sipas të dhënave të spitalit.
Ushtria izraelite tha se në shënjestër të këtij sulmi ishin militantët e Hamasit brenda shkollës, po nuk dha asnjë dëshmi për këtë. Hamasi është i shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe BE-ja.
Izraeli ka kryer disa sulme në shkollat e ndërruara në strehimore në muajt e fundit, duke thënë se i godit saktë militantët që fshihen në mesin e civilëve. Këto sulme shpesh vrasin gra dhe fëmijë.
Merr lajme ekskluzive në Whatsapp
Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.
Blinken, duke folur për gazetar në Katar, vendin e cili shërben si ndërmjetës kyç mes Izraelit dhe Hamasit, tha se bisedimet do të rifillojnë në “ditët në vijim”.
“Ajo çfarë duhet të përcaktojmë është nëse Hamasi është i gatshëm për t’u angazhuar”, tha Blinken gjatë vizitës së tij të 11-të në rajon prej se nisi lufta në Gazë para një viti.
Shtetet e Bashkuara shpresojnë se do të rinisin bisedimet, pasi forcat izraelite e vranë liderin kryesor të Hamasit, Yahya Sinwar, javën e kaluar në Gazë. Megjithatë, asnjëra palë nuk ka treguar shenja për zbutjen e kërkesave në bisedimet që u ndërprenë gjatë verës.
Blinken gjithashtu njoftoi se SHBA-ja do t’i ndihmojë palestinezët me 135 milionë dollarë, derisa i bëri thirrje përsëri Izraelit të lejojë futjen e më shumë ndihmave në territorin palestinez.
Gra dhe fëmijë palestinezë duke ecur në një rrugë të baltosur mes rrënojave të ndërtesave të shkatërruara në Qytetin e Gazës, më 7 tetor 2024, në përvjetorin e parë të luftës së Izraelit në Rripin e Gazës.
Mjekët në veriun e rrethuar të Gazës paralajmërojnë se gjendja atje është katastrofike, pasi ushtria izraelite ka dy javë që kryen luftë tokësore dhe ajrore në këtë pjesë.
Ministria e Shëndetësisë e Gazës thotë se më shumë se 42.000 palestinezë janë vrarë në Gazë prej se sulmi i 7 tetorit 2023 nga Hamasi në Izrael e nxiti luftën mes tyre. Lufta ka shkaktuar rrënim të madh dhe i ka zhvendosur mbi 90 për qind të banorëve të Gazës prej 2.3 milionë.
Lufta nisi kur Hamasi kreu një sulm më 7 tetor 2023 në jug të Izraelit, ku vrau rreth 1.200 njerëz dhe rrëmbeu mbi 250 të tjerë, sipas zyrtarëve izraelitë./ REL