Ish-udhëheqësi i Sirisë Assad, po i shtyn ditët me videolojëra/ U dënua për krime lufte në Siri

Bota

Ish-udhëheqësi i Sirisë Assad, po i shtyn ditët me

Ish-udhëheqësi i Sirisë, Bashar al-Assad, është dënuar me vdekje në mungesë për krime lufte. Në procesin gjyqësor të zhvilluar në Siri, përveç ish-diktatorit që qëndroi për një kohë të gjatë në pushtet, i pandehur ishte edhe Atef Najib.

Najib kishte qenë drejtuesi i Sigurisë Politike të Assadit në provincën jugore të Sirisë, Daraa. Ai ishte i pranishëm në gjykatë dhe gjithashtu u dënua me vdekje.

Prej muajsh, në Siri po zhvillohet një proces gjyqësor ndaj zyrtarëve të lartë të regjimit të Assadit. Assad u rrëzua në dhjetor të vitit 2024, pas 24 vitesh në pushtet dhe pas një lufte civile që shkaktoi qindra mijëra viktima.

Gjykatësit e justifikuan vendimin e së martës me “krime lufte” dhe “krime kundër njerëzimit” të kryera nga Assadi pas shpërthimit të luftës civile siriane në vitin 2011.

Ky është vendimi i parë gjyqësor kundër Assadit, i cili u rrëzua nga pushteti në dhjetor të vitit 2024 nga luftëtarë islamistë dhe më pas u arratis në mërgim, në kryeqytetin rus, Moskë.

Çfarë bën sot Assadi?

Sipas raportimeve, ish-diktatori gëzon mbrojtjen e Rusisë, megjithëse marrëdhënia e tij me Kremlinin duket se është ftohur ndjeshëm.

Dihet se Vladimir Putin nuk e toleron dobësinë. Pak kohë pas rrëzimit të Assadit, Kremlini e quajti papritur ish-aleatin e tij “të paaftë”.

Për më tepër, pas ndryshimit të pushtetit në Siri, rusët filluan të ndërtonin marrëdhënie me njeriun e ri të fuqishëm të vendit. Si pasojë, dy armiqtë e vjetër u afruan fizikisht dy herë, kur Ahmed al-Sharaa vizitoi Kremlinin.

Sipas informacioneve nga rrethi i afërt i Assadit, ish-diktatori kalon ditë të tëra para kompjuterit duke luajtur videolojëra.

Ndërkohë, thuhet se Siria dhe Rusia kanë zhvilluar bisedime për një ekstradim të mundshëm të Assadit, edhe pse një skenar i tillë konsiderohet shumë i pamundur.

Ndërsa koha i kalon në mërgim, një Bashar al-Assad i mërzitur thuhet se po mendon të rikthehet në profesionin e tij të vjetër: ai është mjek i specializuar në oftalmologji.

Edhe në jetën private, duket se gjërat nuk po shkojnë mirë. Pak kohë pas mbërritjes së tij në mërgim, u raportua se bashkëshortja e tij, Asma, po planifikonte divorcin

ME TE LEXUARAT