Ish-presidenti francez nën akuzë për korrupsion, ja se sa vite burg rrezikon

Ish-presidenti francez Nicolas Sarkozy po përballet sërish me drejtësinë në një nga proceset më serioze të karrierës së tij, ku akuzohet për financime të paligjshme të marra nga Muammar Gadafi gjatë fushatës presidenciale të vitit 2007.
Ky hetim, i cili përfshin ndërlikime si në një thriller spiunazhi, ka lidhje me regjimin libian dhe ndërmjetës të dyshimtë, disa prej të cilëve kanë vdekur në rrethana të paqarta, si ish-ministri Choukri Ghanem, i cili u gjet i mbytur në lumin Danubo.
Pas një dekade hetimesh që kanë përfshirë gjashtë prokurorë dhe kërkesa ndihme nga mbi 20 vende, procesi gjyqësor ka nisur në Paris. Në të janë të pandehur 13 persona, përfshirë ish-ministra si Brice Hortefeux dhe Claude Guéant, si dhe Thierry Gaubert dhe ndërmjetësin Alexandre Djouhri, bashkëpunëtorë të afërt të Sarkozy. Akuzat ndaj tij përfshijnë korrupsion, pranimin e fondeve të paligjshme dhe financimin e paligjshëm të fushatës, me dënime të mundshme deri në 10 vjet burg dhe gjoba të larta. Sarkozy ka mohuar kategorikisht çdo akuzë, duke e cilësuar këtë si një histori të trilluar nga rrethi i Gadafit.
Në hyrje të sallës së gjyqit, ish-presidenti, 69 vjeç, dha informacionet personale para gjykatës, ndërsa ruajti një qëndrim të qetë. Ai aktualisht është i dënuar në një çështje tjetër dhe brenda pak javësh pritet të mbajë një pajisje elektronike monitorimi. Ndërkohë, pushimet e tij të fundvitit në Seychelles me bashkëshorten Carla Bruni kanë shkaktuar polemika.
Jean-François Bohnert, kreu i prokurorisë anti-korrupsion, theksoi se hetimi ka prodhuar volum të madh provash, përfshirë dëshmi dhe analiza financiare që tregojnë flukse dyshuese prej miliona eurosh. Sipas ndërmjetësit Ziad Takieddine, gjithçka ka nisur në vitin 2005, kur Sarkozy i kërkoi Gadafit fonde që sipas tij shkonin deri në 50 milionë euro. Megjithatë, Takieddine ka ndryshuar dëshminë disa herë, duke hapur një hetim të veçantë që përfshin edhe dëshminë e Carla Brunit.
Në aktakuzën e përgatitur nga gjyqtarët, përmenden kontrata të mëdha dhe ndërhyrje për Abdallah Senoussi, kreun e shërbimeve sekrete libiane, i dënuar në mungesë për një atentat të vitit 1989 që la 170 viktima, përfshirë 54 francezë. Familjarë të viktimave janë bërë palë civile në këtë proces. Sarkozy është kritikuar për lidhjet e tij të ngushta me Gadafin, duke përfshirë ftesën e tij në Paris menjëherë pas marrjes së detyrës, ndonëse më vonë Franca luajti një rol vendimtar në rrëzimin e liderit libian, i cili vdiq në 2011, në rrethana që mbeten të paqarta.